Nga Vushtrria në Prishtinë, sfidat e brendshme që po e tregojnë se sa i dobët është lidershipi i Lumir Abdixhikut brenda LDK-së
Në një ditë të mbushur me zhvillime kontradiktore politike, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është përballur me një situatë ku qëndrimi i saj zyrtar dhe veprimet në terren nuk po ecin në të njëjtën linjë. Ndërsa kryesia e partisë ka mohuar kategorikisht çdo marrëveshje me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), në Prishtinë është konfirmuar një…
Lajme
Në një ditë të mbushur me zhvillime kontradiktore politike, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është përballur me një situatë ku qëndrimi i saj zyrtar dhe veprimet në terren nuk po ecin në të njëjtën linjë.
Ndërsa kryesia e partisë ka mohuar kategorikisht çdo marrëveshje me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), në Prishtinë është konfirmuar një bashkëpunim konkret në nivel ekzekutiv mes përfaqësuesve lokalë të LDK-së dhe PDK-së, përfshirë emërime në pozita të larta komunale, transmeton lajmi.net.
Në këtë kontekst, debati për kohezionin e brendshëm dhe autoritetin vendimmarrës brenda LDK-së është rikthyer fuqishëm në fokus.
Komunikata e LDK-së sot
LDK ka dalë me një komunikatë të prerë ku mohon çdo marrëveshje me PDK-në në Prishtinë.
Kjo parti tha se nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani.
“LDK njofton opinionin publik se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje. LDK nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani. LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë; dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse. Çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si e tillë, ajo nuk krijon obligime politike për LDK-në dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj. Palët dhe subjektet e tjera politike e dinë shumë mirë se si ndërtohen marrëveshjet ndërpartiake me LDK-në; përmes strukturave zyrtare, transparencës dhe vendimmarrjes institucionale. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë rrugë nuk përbën marrëveshje me LDK-në. Për çështjet e tjera lokale, LDK do të angazhohet pas zgjedhjeve nacionale. Në këtë fazë, LDK dhe anëtarësia e saj janë të angazhuar plotësisht në procesin e ringritjes së përbashkët. Asnjë agjendë tjetër nuk mund ta zbehë këtë përkushtim.”
Zhvillimi në Prishtinë
Pavarësisht këtij qëndrimi, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se është formalizuar bashkëpunimi me PDK-në në qeverisjen lokale dhe se Besiana Musmurati nga kjo parti është emëruar nënkryetare e kryeqytetit.
Ky veprim është prezantuar si hap drejt një qeverisjeje “përtej ndasive partiake”.
Kjo tregoi që Përparim Rama nuk ka vepruar sipas direktivave të partisë dhe kryetarit Lumir Abdixhiku.
Reagimi i Lumir Abdixhikut sot
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur në lidhje me ngjarjet e sotshme në komunën e Prishtinës.
Abdixhiku tha se LDK nuk ka një marrëveshje me PDK-në për bashkëqeverisje në këtë komunë, transmeton lajmi.net.
Ai tha se Përparim Rama ka marrëveshje me PDK-në dhe jo LDK-ja. Ai u shpreh se Rama ka qenë kandidat i pavarur brenda listës së LDK-së.
Deklarimi i plotë:
Kryetarët e komunave kanë të drejtën e tyre të bëjnë marrëveshje për shumicën që ata e konsiderojnë. Nuk mund të them që ne kemi marrëveshje me PDK-në. Mund të ju gënjej por s’kemi. Po ta kemi një marrëveshje të tillë, ma tregoni pra. LDK nuk ka bërë marrëveshje me PDK-në. E kam komunikuar edhe me Bedri Hamzën këtë çështje. Kemi thënë që s’kemi marrëveshje, në rregull meqenëse nuk kemi marrëveshje LDK-PDK, unë dua që të qartësoj për publikun, sepse mediat po pyesin që ka marrëveshje të tillë, se ne nuk kemi. Ato janë marrëveshje të kryetarit të komunës me partitë tjera politike. LDK me PDK nuk ka një marrëveshje të tillë.
Përparim Rama ka qenë kandidat i pavarur brenda listës së LDK-së. Ai vazhdon të jetë kryetar i komunës. LDK me aq sa mundet dhe aq sa ka mundësi, do të kontribuoj në realizimin e programit fitues të LDK-së në Prishtinë. Ne kemi marr mbështetje qytetare për këtë punë, jemi të interesuar të ndihmojmë Prishtinën, por në qoftë se ju më pyesni se a kemi marrëveshje me PDK-në, nuk ka një marrëveshje tillë dhe s’ka pasur bisedime për bashkëqeverisje me PDK-në. Këto janë marrëveshje të kryetarit të komunës që i bën me partitë tjera, por LDK-ja nuk ka një marrëveshje të tillë.
Rikthim në kohë: Rasti i Xhafer Tahiri dhe reagimi i Lumir Abdixhikut.
Kjo situatë ka rikthyer në kujtesë edhe përplasjet e mëhershme brenda partisë.
Në tetor të vitit 2025, pas marrëveshjes së kandidatit të LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri, me Lëvizjen Vetëvendosje, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku kishte reaguar ashpër në emisionin “Debat Plus”, duke deklaruar: “Për punë të shtëpisë merremi na vet. Më pritni pak. Më lini këto 20 ditë me garën… se kur ulesh aty e shtrin qafën, e ke kryetarin e një partie tjetër prapa, e s’e ke kryetarin tënd. Kjo s’është përfaqësim i denjë.”
Xhafer Tahiri, sipas partisë, kishte vendosur krye në veti për këtë koalicion dhe se nuk është i vlefshëm për LDK-në.
Komunikata e LDK-së me 20 tetor 2025 për veprimin e Xhafer Tahirit
Pas atij rasti, LDK kishte reaguar edhe zyrtarisht me anë të një komunikate, duke i quajtur veprime individuale.
“Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë e vet dhe publikun e gjerë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.
Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës. LDK-ja pret që fillimisht të analizohet performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtyre hapave të merren vendimet përkatëse.
Veprimet e tjera janë pa ndonjë vlerë dhe në kundërshtim me praktikën demokratike të LDK-së dhe do të trajtohen sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale.”
Reagimi i Lumir Abdixhikut sot për Xhafer Tahirin
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij nuk e ka ndërmend të merret me çështje lokale, pasi janë para zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ai u pyet që “njëjtë ka thënë edhe për Xhafer Tahiri”.
Abdixhiku tha se Xhafer Tahirit ia kanë refuzuar dorëheqjen e dhënë.
“Xhafer Tahirit ia kemi refuzuar dorëheqjen dhe do vazhdojë të jetë kryetar i LDK-së në Vushtrri”, tha ai.
Xhafer Tahiri kishte bërë një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje në balotazhin për Vushtrrinë vitin e kaluar, ku LVV garonte kundër PDK-së.
Por, koalicioni nuk i ishte kumtuar kryesisë së LDK-së e as kryetarit Lumir Abdixhiku.
Një realitet i dyfishtë politik
Ndërsa LDK në nivel qendror insiston se çdo marrëveshje duhet të kalojë përmes strukturave zyrtare, zhvillimet në Prishtinë dhe rastet e mëhershme në komunat tjera po krijojnë perceptimin e një funksionimi paralel të vendimmarrjes brenda partisë.
Kjo situatë po shihet si sfidë e drejtpërdrejtë për autoritetin e kryesisë dhe për mënyrën se si LDK po arrin të kontrollojë dhe unifikojë veprimet e përfaqësuesve të saj në nivel lokal./lajmi.net/