DnV kritikon rregulloren e re të KQZ-së: Kufizon vëzhgimin e zgjedhjeve

Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) ka reaguar ndaj rregullores së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vëzhguesit, duke vlerësuar se ajo përmban dispozita që tejkalojnë ligjin dhe kufizojnë vëzhgimin e pavarur të zgjedhjeve. Sipas DnV-së, Rregullorja Zgjedhore Nr. 04/2026, e miratuar më 29 prill 2026, ndryshon qasjen ndaj…

Lajme

05/05/2026 15:46

Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) ka reaguar ndaj rregullores së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vëzhguesit, duke vlerësuar se ajo përmban dispozita që tejkalojnë ligjin dhe kufizojnë vëzhgimin e pavarur të zgjedhjeve.

Sipas DnV-së, Rregullorja Zgjedhore Nr. 04/2026, e miratuar më 29 prill 2026, ndryshon qasjen ndaj akreditimit të organizatave vëzhguese, duke e kthyer atë nga një proces formal në një mekanizëm kufizues dhe pengues për shoqërinë civile.

Organizata thekson se disa dispozita i japin KQZ-së kompetenca që nuk i takojnë, siç është refuzimi i akreditimit të organizatave mbi bazën e vlerësimeve për rrezik ndaj rendit juridik dhe kushtetues, përgjegjësi që sipas tyre i takon vetëm gjykatave.

Po ashtu, DnV ka kritikuar edhe kërkesat shtesë për dokumente dhe informacione mbi financimin dhe strukturën e organizatave, duke i cilësuar si të panevojshme dhe jashtë kornizës ligjore.

Sipas reagimit, rregullorja parasheh edhe kufizime për pjesëmarrjen e vëzhguesve në takimet e KQZ-së dhe komisioneve komunale, gjë që, sipas DnV-së, bie ndesh me ligjin që garanton transparencën e këtyre mbledhjeve.

DnV ka theksuar se vëzhgimi i zgjedhjeve është thelbësor për besimin publik dhe transparencën e procesit zgjedhor, ndërsa vendosja e kushteve shtesë mund të ndikojë negativisht në integritetin e zgjedhjeve.

Për këtë arsye, kjo organizatë i ka bërë thirrje KQZ-së që të rishqyrtojë rregulloren dhe të largojë dispozitat që, sipas saj, janë në kundërshtim me ligjin dhe standardet demokratike. /Lajmi.net/