Përparim Rama s’e pyeti Abdixhikun për koalicionin me PDK-në: Çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kundërshtuar koalicionin e arritur në Prishtinë me Partinë Demokratike të Kosovës. Edhe pse ky koalicion mbrëmë është konfirmuar nga Uran Ismaili i PDK-së. Por LDK thotë se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër, gjë kjo e cila nxjerrë në pah publikimet se në fakt kreu LDK-së,…
Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kundërshtuar koalicionin e arritur në Prishtinë me Partinë Demokratike të Kosovës.
Edhe pse ky koalicion mbrëmë është konfirmuar nga Uran Ismaili i PDK-së.
Por LDK thotë se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër, gjë kjo e cila nxjerrë në pah publikimet se në fakt kreu LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama janë prishur mes njëri-tjetrit.
E kjo u kuptua qartazi edhe nga shkarkimi që Rama iu bëri radhazi drejtorëve, apo miqve të Abdixhikut nga drejtoritë në Prishtinë.
“LDK njofton opinionin publik se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje. LDK nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani.LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë; dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse”, u tha në reagimin e LDK-së.
Po ashtu u tha se “Çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si e tillë, ajo nuk krijon obligime politike për LDK-në dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj. Palët dhe subjektet e tjera politike e dinë shumë mirë se si ndërtohen marrëveshjet ndërpartiake me LDK-në; përmes strukturave zyrtare, transparencës dhe vendimmarrjes institucionale. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë rrugë nuk përbën marrëveshje me LDK-në”.
“Për çështjet tjera lokale, LDK do të angazhohet pas zgjedhjeve nacionale. Në këtë fazë, LDK dhe anëtarësia e saj janë të angazhuar plotësisht në procesin e ringritjes së përbashkët. Asnjë agjendë tjetër nuk mund ta zbehë këtë përkushtim.”./Lajmi.net/