Gola në Kopenhagë: Qëndrueshmëria demokratike varet nga besimi dhe lufta kundër dezinformimit

Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ardian Gola, ka marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të BE-së që po mbahet në Kopenhagë, ku ka folur në panelin me temë “Qëndrueshmëria demokratike në kohë ndryshimesh”. Ai tha se qëndrueshmëria demokratike sot nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e institucioneve, por edhe me besueshmërinë e…

Lajme

04/05/2026 20:43

Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ardian Gola, ka marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të BE-së që po mbahet në Kopenhagë, ku ka folur në panelin me temë “Qëndrueshmëria demokratike në kohë ndryshimesh”.

Ai tha se qëndrueshmëria demokratike sot nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e institucioneve, por edhe me besueshmërinë e tyre, duke theksuar se “besimi fillon me besueshmëri”. Gola iu referua edhe filozofit Jürgen Habermas, duke theksuar se legjitimiteti demokratik varet nga cilësia e debatit publik dhe jo vetëm nga institucionet formale.

Sipas tij, parlamentet duhet të forcojnë një kulturë politike ku argumentet kanë më shumë peshë se manipulimi dhe ku qytetarët ndihen pjesë e vendimmarrjes. Ai shtoi se rajoni përballet me sfida të përbashkëta si dezinformimi, zhvillimet teknologjike dhe rënia e besimit në institucione.

Duke folur për Kosovën, Gola theksoi se qëndrueshmëria demokratike është e lidhur ngushtë me procesin e integrimit evropian. Ai tha se vendi ka shënuar përparim në zgjedhje dhe të drejta themelore, por duhet të vazhdojë me reforma në drejtësi, media dhe administratë publike.

Në fund, ai citoi edhe filozofin danez Søren Kierkegaard, duke theksuar rëndësinë e të menduarit për të ardhmen dhe vendimeve të bazuara në parime, edhe kur ato janë të vështira. /Lajmi.net/