Do të plotësohet super-ekspertiza në gjykimin për 180 kg kokainë

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykatësi Lutfi Shala ka aprovuar propozimin e prokurorit të rastit, Kastriot Mema, që të bëhet plotësimi i super-ekspertizës në rastin ku Bashkim Kolshi po akuzohet për transportim të 180 kilogramëve kokainë dhe shpëlarje parash, Deri ky vendim erdhi pasi prokurori njoftoi që nga autoritet gjermane…

Lajme

04/05/2026 12:15

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykatësi Lutfi Shala ka aprovuar propozimin e prokurorit të rastit, Kastriot Mema, që të bëhet plotësimi i super-ekspertizës në rastin ku Bashkim Kolshi po akuzohet për transportim të 180 kilogramëve kokainë dhe shpëlarje parash,

Deri ky vendim erdhi pasi prokurori njoftoi që nga autoritet gjermane kanë pranuar të dhënat financiare të kërkuara përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Prokurori Mema tha se të dhënat e siguruara do të shërbejnë për një konstatim të drejtë të gjendjes faktike, ashtu që të bëhet një ekspertizë e plotë financiare, raporton “Betimi për Drejtësi”

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Kolshi, avokati Kujtim Kërveshi tha se është brengosëse që Prokuroria ka ndërmarrë veprime për të siguruar prova të reja pa lejen e Gjykatës. Gjithashtu, ai tha kërkesa për të nxjerrë prova të reja nga ana e Prokurorisë gjatë shqyrtimit gjyqësor ndalohet me Kod të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, ekspertët financiarë të cilët ishin prezent në sallën e gjykimit, Besnik Livoreka dhe Arben Avdyli, thanë se varësisht sa është volumi i materialit mund të marrë kohë përafrisht tri javë që të bëhet plotësimi i super-ekspertizës.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 3 maj 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Bashkim Kolshit, të cilin e akuzon për transportim të narkotikëve të llojit kokainë dhe shpëlarje parash.

Kontrabandimin e narkotikut, aktakuza thotë se i pandehuri Kolshi e ka bërë me dhjetë dërgesa gjatë periudhës prill-maj-qershor 2019.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.