Zogaj: Zgjedhjet do të sjellin momentum të ri politik – LDK do të ketë rezultat fantastik

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Alban Zogaj, ka thënë se prej kohësh është ditur se po shkohet drejt zgjedhjeve, pasi VV nuk kishte qasje serioze për të arritur marrëveshje për çështjen e presidentit. Ai në një intervistë për Expose të Gazeta Blic, ka thënë se LDK ka qenë konstruktive për marrëveshje, por jo edhe VV. “Me…

Lajme

03/05/2026 18:46

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Alban Zogaj, ka thënë se prej kohësh është ditur se po shkohet drejt zgjedhjeve, pasi VV nuk kishte qasje serioze për të arritur marrëveshje për çështjen e presidentit.

Ai në një intervistë për Expose të Gazeta Blic, ka thënë se LDK ka qenë konstruktive për marrëveshje, por jo edhe VV.

“Me thënë të drejtën, ne që një kohë e pamë që po vijmë deri te kjo pikë, sepse qasja e fituesit të zgjedhjeve ishte shumë jo serioze dhe ne e pamë ditë më përpara, e mos me thënë javë më përpara, që po vijmë deri te ky rezultat. Kur nuk ka qasje pozitive e konstruktive për t’i dhënë vendit institucione, gjithmonë kemi me ardhë deri te kjo pikë. Krejt çka ne kemi kërkuar dhe jemi treguar shumë konstruktiv, është që të ulemi në tavolinë, të kemi qasje serioze, të bëjmë marrëveshje politike sepse institucionet e vendit nuk mund të krijohen pa marrëveshje politike dhe të ecim tutje. Ajo marrëveshje politike me gjasë për LVV-në ishte e pamundur sepse për ne ka qenë fare e thjeshtë por për ta ishte e pamundur dhe jemi ku jemi”, ka thënë ai.

Se sa janë zgjedhjet e jashtëzakonshme zgjidhje, Zogaj thotë se ato japin gjithmonë momentum të ri politik, duke shtuar se qytetarët do të kenë mundësi të votojnë për të gjitha institucionet e vendit.

“Zgjedhjet gjithmonë japin një momentum të ri politik, e unë mendoj që po krijohet një momentum i ri politik edhe kësaj here e sidomos rreth LDK dhe një projekti që ne e kemi quajtur një ribashkim i së djathtës, andaj zgjedhjet normal që do japin rezultate tjera e pastaj me rezultate tjera edhe konstalacion tjetër politik sepse në bazë të forcave dhe fuqisë të votës politike, do të ulemi pastaj në tavolinë për të parë se si do t’i krijojmë institucionet. Çka është shumë e rëndësishme dhe qytetarët duhet ta kenë parasysh kësaj here, është që tash faktikisht votohet për krejt institucionet e Kosovës, normalisht ne votojmë për Kuvend të Kosovës por ai Kuvend ka me votu qeverinë e Kosovës dhe presidentin po thuajse në të njëjtën kohë, që është rast i rrallë por shumë i rëndësishëm për vendin”, ka vlerësuar ai.

Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, Zogaj potencon se qytetarët e kanë kuptuar krejt situatën dhe do të bëjnë balanc të peshave politike.

“Unë mendoj që qytetarët janë duke e kuptuar krejt situatën dhe po e shohin edhe kryeneçësinë e fituesit të zgjedhjeve për me bo zgjidhje, për me i dhënë vendit institucione. Andaj unë konsideroj që kësaj here qytetarët e Kosovës kanë me bë një balanc të peshave politike në mënyrë që të ketë marrëveshje e të ecet tutje me institucionet e vendit. LDK në bazë të gjitha sondazheve që kemi qasje në to e që i bëjmë edhe vet, del shumë më mirë sesa në zgjedhjet e dhjetorit dhe sidomos me një përbashkim të madh ne konsiderojmë që do kemi një rezultat fantastik në këto zgjedhje”, ka deklaruar Alban Zogaj.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor.