E dobët apo efektive? Ky është vlerësimi për legjislaturën e dhjetë të Kuvendit

Legjislatura e dhjetë e Kuvendit të Kosovës po cilësohet si një ndër më të dobëtat në historinë parlamentare të vendit nga monitoruesit e punës së këtij institucioni. Sipas tyre, deputetët e kësaj legjislature dështuan të përmbushin funksionet themelore, në veçanti zgjedhjen e presidentit, gjë e cila bëri që të shkohet në zgjedhje të reja më 7…

Lajme

03/05/2026 15:55

Legjislatura e dhjetë e Kuvendit të Kosovës po cilësohet si një ndër më të dobëtat në historinë parlamentare të vendit nga monitoruesit e punës së këtij institucioni. Sipas tyre, deputetët e kësaj legjislature dështuan të përmbushin funksionet themelore, në veçanti zgjedhjen e presidentit, gjë e cila bëri që të shkohet në zgjedhje të reja më 7 qershor.

Megjithatë, nga ish mazhoranca thonë se, edhe kjo legjislaturë kishte efektivitet më pak se dy muaj të plotë, janë mbajtur 24 seanca, ku janë miratuar 35 ligje, mes tyre 24 marrëveshje ndërkombëtare.

Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, thotë për KosovaPress, se kjo legjislaturë nuk ishte e zonja që të kryejë funksionet e veta.

Ndër fajtorët kryesorë sipas tij është Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka pasur shumicë parlamentare. Ai përmend mungesën e rishikimit të buxhetit, ku vendi po ballafaqohet me inflacion të madh për shkak të krizës në Lindjen e Mesme, si dhe rikthimin në pikën zero të ligjeve për reformën në drejtësi.

Si gjë pozitive ai theksoi miratimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, mes tyre edhe ato në kuadër të Planit të Rritjes.

“Po në historinë e parlamentarizmit, kjo legjislaturë do të mbetet si më e dobëta, si më e dështuara, për arsye që nuk qe e zonja që t’i kryejë funksionet e veta. Përkundrejt që kuvendi dhe qeveria u formuan me shpejtësi, një ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, kjo legjislaturë nuk arriti t’i kryejë disa nga çështjet kryesore. Ne aktualisht, për shkak të krizës globale, edhe në Iran edhe në Ukrainë, për shkak të rritjes së çmimeve, nuk mbërritëm që të kemi një rishikim të ligjit plotësues buxhetor. Këtu përgjegjësia bie kryesisht, dhe veçanërisht, mbi shumicën parlamentare, mbi Lëvizjen Vetëvendosje, e cila nuk qe e zonja që prej kohës kur u formua Qeveria e Kosovës ta sjellë një ligj plotësues buxhetor dhe në atë ligj të vendosë një pako për mbështetje për grupet e cenuara sociale… Ka një sukses të kësaj legjislature që janë miratuar marrëveshjet që vijnë nga Plani i Rritjes, por ato tashmë mbesin në gjysmë dhe ne rrezikojmë që një pjesë e fondeve të mos i marrim, ta zëmë nga disa marrëveshje të tjera ndërkombëtare, sepse duhet të ketë Kuvend në muajin qershor. Duhet të ketë Qeveri në muajin qershor dhe kështu nuk mund të kryhen punët sipas marrëveshjeve që vetë Kosova i ka marrë përsipër me marrëveshjet ndërkombëtare dhe me organizatat e ndryshme financiare”, thotë ai.

Në të njëjtën linjë kritike, analisti politik Adrian Zeqiri thotë se dështimi nuk është i izoluar vetëm në këtë mandat, por edhe në legjislaturën e nëntë, si pasojë e krizave të vazhdueshme politike.

“Vetëm mundem me bashkënda me deputetët e legjislaturës së nëntë dhe të dhjetë, të cilët realisht s’kanë bërë asgjë. U shkoi mandati si deputet ndoshta pa folur asnjëherë në foltore. Kjo ka ndodhur edhe me legjislaturën e kaluar të vitit 2025, që s’ka bërë asgjë, njësoj sikur kjo legjislaturë. Bashkënda me këta deputetë që kanë shpenzuar mund dhe kohë dhe në fund u ka shkuar mandati pa e marrë fjalën asnjëherë. Realisht kanë dështuar dy legjislatura totalisht në Kosovë”, deklaron ai.

E ish shefja e deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se legjislatura e dhjetë e Kuvendit zgjati shkurt në kohë, por ishte intensive në punë dhe rezultate.

“Edhe pse legjislatura e dhjetë e Kuvendit të Kosovës funksionoi për më pak se dy muaj të plotë, arritëm të marrim vendime me rëndësi për qytetarët: miratuam projektligje kyçe, funksionalizuam borde dhe këshilla, si dhe avancuam marrëveshje ndërkombëtare”, shkroi ajo të shtunën në rrjetin social Facebook.

Kuvendi u shpërnda më 29 prill, pasi dështoi të zgjedhë presidentin e ri.

Legjislatura e dhjetë ishte konstituar më 11 shkurt pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit 2025./kp