27 vjet nga masakra e Studimes, Kurti: Plagë e hapur derisa të ndëshkohen të gjithë përgjegjësit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar përvjetorin e masakrës së Studimes, duke e cilësuar atë si një nga krimet më të rënda të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës së viteve 1998–1999. Përmes një postimi në Facebook, Kurti rikujtoi se më 2 maj 1999, forcat serbe ushtruan terror të organizuar ndaj civilëve shqiptarë që…
Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar përvjetorin e masakrës së Studimes, duke e cilësuar atë si një nga krimet më të rënda të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti rikujtoi se më 2 maj 1999, forcat serbe ushtruan terror të organizuar ndaj civilëve shqiptarë që po lëviznin nga Studimja e Poshtme drejt Studimes së Epërme, ku brenda vetëm dy orësh u vranë 116 persona – burra, gra, pleq dhe fëmijë nga rajoni i Shalës dhe rrethina e Vushtrrisë.
Ai theksoi se të nesërmen, gratë dhe fëmijët u dëbuan me dhunë drejt Shqipërisë, ndërsa burrat u burgosën në Smrekonicë, ku – sipas tij – u përballën me tortura dhe trajtim çnjerëzor.
Kurti përmendi edhe dënimet e deritanishme për këto krime, duke theksuar se Vlastimir Đorđević është dënuar nga Tribunali i Hagës për rolin e tij në vrasjen e më shumë se 700 shqiptarëve, ku përfshihet edhe masakra e Studimes, ndërsa në qershor 2025, Zoran Vukotiq është dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte.
Megjithatë, sipas tij, këto dënime mbeten të pamjaftueshme përballë përmasës së krimit dhe dhimbjes së familjarëve të viktimave.
“Këto krime nuk harrohen, nuk falen dhe nuk zbehen me kohën. Ato mbesin plagë e hapur derisa drejtësia e plotë të vihet në vend”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se pa drejtësi për viktimat shqiptare, Serbia nuk mund të konsiderohet pjesë e shteteve që ndërtojnë të ardhmen mbi vlera njerëzore.
Në fund, Kurti u shpreh se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të forcojnë shtetin në nderim të atyre që sakrifikuan jetën për liri, duke theksuar se krime të tilla nuk duhet të përsëriten më kurrë.
Në përvjetorin e kësaj masakre, ai bëri thirrje për kujtesë dhe nderim të përhershëm për viktimat, duke e cilësuar sakrificën e tyre si themel të lirisë së vendit. /Lajmi.net/