Haxholli propozon formulën për diplomacinë: Balancë mes politikës dhe karrierës për ambasadorët e rinj

Fatmir Haxholli, kryetar i Sindikatës në Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka propozuar një qasje të re për rifreskimin e shërbimit diplomatik, duke kërkuar ndërthurjen e “çelësit politik” me atë të karrierës në procesin e rotacionit. Sipas tij, për të siguruar funksionalitet dhe përfaqësim efikas në misionet diplomatike dhe konsullore, duhet të…

Lajme

02/05/2026 17:13

Fatmir Haxholli, kryetar i Sindikatës në Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka propozuar një qasje të re për rifreskimin e shërbimit diplomatik, duke kërkuar ndërthurjen e “çelësit politik” me atë të karrierës në procesin e rotacionit.

Sipas tij, për të siguruar funksionalitet dhe përfaqësim efikas në misionet diplomatike dhe konsullore, duhet të bëhet një ndarje e balancuar: të paktën 12 shefa të rinj misionesh të emërohen sipas çelësit politik dhe 15 të tjerë nga radhët e karrierës, ku 10 prej tyre do të ishin për herë të parë në këto pozita.

Haxholli thekson se në diplomacitë e konsoliduara ndërkombëtare, një balancë e tillë konsiderohet thelbësore për ruajtjen e vazhdimësisë institucionale, garantimin e sigurisë strategjike dhe rritjen e efikasitetit në përfaqësim.

Ai vlerëson se Kosova, gjatë 17–18 viteve të ndërtimit të shërbimit diplomatik, ka krijuar një kapital të rëndësishëm profesional që mbështet objektiva strategjike, si anëtarësimi në NATO, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, si dhe zhvillimin e diplomacisë ekonomike, publike dhe fuqizimin e diasporës.

Në këtë kontekst, ai thekson se procesi i rotacionit duhet të garantojë një ekuilibër funksional mes profileve politike – të nevojshme për misionet me ndjeshmëri të lartë strategjike – dhe diplomatëve të karrierës, të cilët sigurojnë profesionalizëm, stabilitet dhe vazhdimësi institucionale.

Haxholli ka përmendur edhe një listë të gjerë emrash që, sipas tij, duhet të konsiderohen për herë të parë për pozitat e shefave të misioneve diplomatike, duke e cilësuar këtë si një mundësi për të sjellë energji dhe perspektivë të re në shërbimin diplomatik.

Ndërkohë, ai ka vlerësuar si “shtyllë të fuqishme” edhe një grup ambasadorësh aktualë dhe ish-ambasadorësh, duke theksuar rolin e tyre në konsolidimin e diplomacisë së vendit.

Në fund, Haxholli nënvizoi se ndërtimi i një shërbimi diplomatik efektiv kërkon një balancim të kujdesshëm mes përvojës, meritës dhe vendimmarrjes politike, me synimin për një përfaqësim shtetëror më të fuqishëm, kredibil dhe dinjitoz. /Lajmi.net/