Shkarraviti “Kosova është Serbi” në veturën me targa kosovare, serbit i caktohet paraburgim nga gjykata në Kroaci
Gjykata e Qarkut në Rijeka në Kroaci, më 29 prill 2026 caktoi paraburgim për një shtetas 25-vjeçar të Serbia, i cili dyshohet për veprën penale të dëmtimit të pasurisë së huaj si dhe nxitjes publike të dhunës dhe urrejtjes. Paraburgimi u caktua pasi i dyshuari është i paarritshëm për organet gjyqësore kroate dhe, sipas vendimit…
Bota
Gjykata e Qarkut në Rijeka në Kroaci, më 29 prill 2026 caktoi paraburgim për një shtetas 25-vjeçar të Serbia, i cili dyshohet për veprën penale të dëmtimit të pasurisë së huaj si dhe nxitjes publike të dhunës dhe urrejtjes. Paraburgimi u caktua pasi i dyshuari është i paarritshëm për organet gjyqësore kroate dhe, sipas vendimit të gjykatës, ndodhet në arrati.
Sipas përmbajtjes së vendimit, ngjarja ka ndodhur më 31 gusht 2022, ndërmjet mesnatës dhe orës 00:30, në Opatija, në rrugën Maršala Tita, para numrit 135. Bëhet fjalë për hapësirën e parkimit të hotelit Kristal, ku ndodhej një automjet personal i markës Audi, me ngjyrë të bardhë, me targa të Kosova, në pronësi të një shtetasi të Kosovës, raporton Fiuman, përcjell Gazeta Express.
I dyshuari akuzohet se me një marker të zi ka vizatuar në kapakun e motorit të veturës një kryq të rrethuar me katër shkronja cirilike S, dhe poshtë tij ka shkruar me shkrim cirilik “Kosova është Serbi”. Me këtë veprim, sipas pretendimeve në procedurë, pronarit të veturës i është shkaktuar dëm material në vlerë rreth 398 euro, përkatësisht 3.000 kuna të atëhershme.
Pjesa veçanërisht rënduese e rastit lidhet me faktin se i dyshuari, sipas dyshimeve të prokurorisë, të gjithë veprimin e ka incizuar me telefon mobil dhe më pas videon e ka publikuar në profilin e tij në Instagram. Prokuroria konsideron se me këtë publikim ai ka bërë të qasshëm për publikun përmbajtje që nxit dhunë ose urrejtje ndaj një grupi njerëzish ose një anëtari të një grupi për shkak të përkatësisë së tyre fetare, kombëtare dhe etnike, gjuhës dhe prejardhjes.
Nga vendimi i gjykatës rezulton se dyshimi i bazuar mbështetet në kallëzimin penal të Policisë së Qarkut Primorsko-Goranska, përkatësisht të Stacionit Policor të Opatijës, si dhe në provat e mbledhura, ndër të cilat janë shënimet zyrtare, fotografitë e automjetit të dëmtuar, incizimet e kamerave të mbikëqyrjes së hotelit Kristal, publikimi nga rrjeti social Instagram dhe materiale të tjera të mbledhura gjatë hetimit kriminalistik.
Gjykata thekson gjithashtu se i dyshuari nuk është gjetur në vendbanimin e raportuar në Hotel Opatija, se që nga 29 gushti 2022 nuk ka shkuar në punë dhe nuk e ka njoftuar punëdhënësin për mungesën, si dhe se akomodimin e ka braktisur më 2 shtator 2022. Po atë ditë, sipas të dhënave nga dosja, ai ka lënë territorin e Kroacia me transport publik përmes pikës kufitare Stara Gradiška.
I dyshuari nuk iu përgjigj as thirrjes së prokurorisë për marrjen në pyetje për herë të parë në nëntor 2022. Më pas, organet gjyqësore kroate përmes ndihmës juridike ndërkombëtare tentuan ta gjenin, por organi kompetent i Republikës së Serbisë e refuzoi kërkesën. Në dosje thuhet gjithashtu se i dyshuari nuk ka vendbanim të regjistruar në territorin e Serbisë dhe se ndaj tij është shpallur kërkim në nivel kombëtar.
Paraburgimi mund të zgjasë më së shumti një muaj dhe do të llogaritet nga dita e privimit nga liria. Gjykata ka vendosur gjithashtu që paraburgimi mund të zëvendësohet me një garanci prej 5.000 eurosh, me kusht që i dyshuari të premtojë se nuk do të fshihet, se nuk do të largohet nga vendbanimi pa leje, se nuk do të pengojë procedurën penale dhe se nuk do të kryejë një vepër të re penale.