Arifi për rikthimin e Osmanit në LDK: Strategji e Abdixhikut për rritjen e votave
Ish-ambasadori, Avni Arifi, vlerëson se brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po shihet si strategji rikthimi i mundshëm i Vjosa Osmanit, e që sipas tij për synim ka forcimin e rezultatit zgjedhor. Arifi, i ftuar në “FIVE” thekson se për kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ky rikthim shihet si mënyrë për të rimarrë apo përmirësuar rezultatin…
Lajme
Ish-ambasadori, Avni Arifi, vlerëson se brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po shihet si strategji rikthimi i mundshëm i Vjosa Osmanit, e që sipas tij për synim ka forcimin e rezultatit zgjedhor.
Arifi, i ftuar në “FIVE” thekson se për kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ky rikthim shihet si mënyrë për të rimarrë apo përmirësuar rezultatin e zgjedhjeve të shkurtit.
Arifi shtoi se kjo qasje synon të bashkojë krahun e djathtë të LDK-së, përfshirë figura që më herët janë larguar nga partia dhe tani mund të rikthehen.
“Këta i kanë ndërtuar pritejt se Vjosa Osmani në një formë a tjetër do të rikthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, a do të jetë në listën e saj apo bartëse e listës apo kandidate nuk ka rëndësi. Ajo që është e rëndësishme është se Abdixhiku si strategji për rikthimin e rezultatit të shkurtit apo me tejkalu po e sheh rikthimin e Vjosa Osmanit. Këta po duan të bashkojnë të djathtën e LDK-së – pra disa figura që kanë qenë në LDK e janë largu po duan të kthehen – një iniciativë interesante e Abdixhikut, për atë po thonë të djathtën e LDK-së e jo vetëm të djathtën që do të nënkuptonte edhe parti të tjera që janë të djathta”, u shpreh Arifi.
Mes tjerash, Arifi gjithashtu vlerësoi se Abdixhiku, në bashkëpunim me Osmanin, synon krijimin e një fronti politik për t’u përballur në sistemin zgjedhor aktual.Megjithatë, Arifi theksoi se mbetet për t’u parë se si një zhvillim i tillë do të reflektohet te elektorati i LDK-së.
“Me Vjosa Osmanin, Abdixhiku synon të bëjë një front dhe kështu me u ballafaqu në sistem zgjedhor, si do të shkojë do ta shohim. Në LDK ekziston kjo bindje edhe pse para një viti nuk e kanë dashtë Vjosa Osmanin dhe para një viti kanë menduar që Vjosa Osmani nuk kthehet kurrë në LDK, tashmë po i bashkon interesi – të dy palët po besojnë që nëse bashkohen fitojnë shumë më shumë vota dhe kanë gjetur një gjuhë të përbashkët Lumir – Vjosa dhe nuk di se si kjo do të përkthehet në votuesit e LDK-së pasi kanë qenë të pakënaqur më 2021 kur Vjosa nuk i’ua bashkua LDK-së, por u bë presidente”, thotë Arifi.
Arifi, mes tjerash, thotë se sipas tij rikthimi i mundshëm i Osmanit në LDK jo domosdoshmërisht do të thotë edhe rikthim i votave.