Haxhiu shpall të mbyllur procesin për Kryeprokurorin: Kërkon konkurs të ri dhe paralajmëron refuzime
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se procesi për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit është konsideruar i mbyllur, duke kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të nisë një procedurë të re. Duke folur për këtë çështje, Haxhiu tha se gjatë shqyrtimit të dosjes së propozuar, ka hasur në një letër që,…
Lajme
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se procesi për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit është konsideruar i mbyllur, duke kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të nisë një procedurë të re.
Duke folur për këtë çështje, Haxhiu tha se gjatë shqyrtimit të dosjes së propozuar, ka hasur në një letër që, sipas saj, nuk ishte në përputhje me kompetencat ligjore.
Ajo bëri të ditur se letra i ishte drejtuar presidentes nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit, Agron Qalaj.
“Kam pranuar një letër nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit, gjë që e konsideroj të pazakontë dhe në kundërshtim me ligjin, pasi ai nuk ka të drejtë kushtetuese dhe ligjore t’i drejtohet presidentit për këtë proces”, u shpreh Haxhiu.
Sipas saj, i vetmi institucion kompetent për këtë çështje është Këshilli Prokurorial.
“Vetëm Këshilli Prokurorial e ka përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore për të bërë propozime për Kryeprokurorin e Shtetit”, theksoi ajo.
Haxhiu njoftoi se pas analizimit të dosjes, i është kthyer përgjigje Këshillit Prokurorial dhe procesi është konsideruar i përfunduar.
“E kam analizuar dosjen dhe i kam kthyer letër Këshillit Prokurorial, duke e konsideruar këtë proces të mbyllur”, deklaroi ajo.
Ajo kërkoi që të hapet sa më shpejt një konkurs i ri, duke theksuar se duhet të garantohet një proces i rregullt dhe i pakomprometuar.
“Kërkoj që të shpallet sa më parë konkursi dhe të sigurohet që procesi të mos jetë i komprometuar siç ka ndodhur në të kaluarën”, tha Haxhiu.
Sipas saj, nuk do të dekretohen kandidatë që dalin nga procese të kontestuara.
“Asnjëherë nuk do të dekretohen persona që kalojnë përmes proceseve të komprometuara apo të parapërgatitura”, përfundoi ajo. /Lajmi.net/