KQZ analizon problemet e zgjedhjeve 2025: Radoniqi kërkon kujdes maksimal në procesin e ri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar një punëtori me Zyrtarët Ekzekutiv të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (ZEKKZ), ku janë diskutuar sfidat e proceseve zgjedhore të vitit 2025 dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se në këtë takim janë trajtuar çështje që lidhen me organizimin dhe administrimin e…

Lajme

30/04/2026 15:59

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar një punëtori me Zyrtarët Ekzekutiv të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (ZEKKZ), ku janë diskutuar sfidat e proceseve zgjedhore të vitit 2025 dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se në këtë takim janë trajtuar çështje që lidhen me organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve në nivel qendror dhe lokal.

Ai tha se punëtoria është organizuar me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ku është diskutuar edhe për hapat që duhet të ndërmerren në procesin e ri zgjedhor për adresimin e sfidave të evidentuara më herët.

Sipas tij, në takim është theksuar edhe rëndësia e përgatitjeve të kujdesshme në çdo fazë të procesit zgjedhor.

Ndërkaq, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka folur për problemet e evidentuara në zgjedhjet e fundit.

Ai theksoi se “ka pasur probleme sidomos në procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në disa Qendra Komunale të Numërimit”, duke kërkuar kujdes të shtuar në të gjitha fazat e ardhshme.

Radoniqi ka nënvizuar se është e domosdoshme “të ketë kujdes të shtuar gjatë çdo faze të përgatitjes së zgjedhjeve, deri te numërimi dhe certifikimi i rezultateve”.

Gjatë punëtorisë, anëtarët e KQZ-së dhe ZEKKZ-të kanë diskutuar gjithashtu për sfidat që hasen në nivel lokal dhe mënyrat konkrete për adresimin e tyre në proceset e ardhshme zgjedhore.

Elezi bëri të ditur se Zyrtarët Ekzekutiv të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve janë të punësuar të përhershëm në çdo komunë dhe gjatë periudhës zgjedhore shërbejnë si kryesues të komisioneve komunale.

Ai theksoi se këto komisione janë përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve në nivel lokal, nën mbikëqyrjen dhe udhëzimet e KQZ-së, me qëllim garantimin e ligjshmërisë, legjitimitetit dhe efikasitetit të procesit zgjedhor. /Lajmi.net/