Aksident fatal në vendin e punës në Meqë të Gjakovës: Kamioni rrëshqet dhe zë poshtë një punëtor, viktima ndërron jetë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Meqë të Gjakovës ku një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në vendin e punës. Rastin për lajmi.net, e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, e cila tha se rreth orës 09:55, është pranuar informata për…
Lajme
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Meqë të Gjakovës ku një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në vendin e punës.
Rastin për lajmi.net, e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, e cila tha se rreth orës 09:55, është pranuar informata për incidentin, i cili dyshohet të ketë ndodhur gjatë procesit të punës me një mjet transportues.
“Sot, rreth orës 09:55, kemi pranuar informatën për një incident në fshatin Meqë. Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se gjatë procesit të punës, shoferi i një kamioni ka humbur kontrollin mbi mjetin, me ç’rast kamioni ka rrëshqitur. Si pasojë e kësaj lëvizjeje, një punëtor mashkull, i moshës madhore, i cili ndodhej në afërsi të mjetit, ka mbetur i bllokuar nën të”, ka deklaruar për lajmi.net zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.
Mes tjerash Krasniqi ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse të Policisë, zjarrfikësit dhe ekipi i ndihmës së shpejtë, mirëpo pavarësisht intervenimit, viktima nuk ka arritur të mbijetojë.
“Pas intervenimit, mjeku përgjegjës ka konstatuar se personi i zënë nën mjet ka ndërruar jetë”, ka shtuar Krasniqi.
Derisa Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike. /Lajmi.net/