Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook, duke thënë se ndaj LDK-së është duke u zhvilluar një fushatë e organizuar dhe e qëllimshme në mesnatë.
Ajo ka deklaruar se janë shfaqur materiale të fabrikuara, përfshirë posterë në gjuhën serbe, pretendime për dorëheqje dhe mesazhe intimidimi ndaj anëtarëve të partisë.
Sipas saj, këto veprime janë dëshmi e, siç u shpreh ajo, frikës nga forcimi i LDK-së dhe procesi i bashkimit të së djathtës rreth këtij subjekti politik.
“Kur nuk kanë argumente, shpifin dhe kur nuk kanë mbështetje, fabrikojnë përçarje që nuk ekzistojnë. Nuk ka dorëheqje nga LDK, por ka vetëm një të vërtetë që i tremb: bashkimi i së djathtës po bëhet realitet”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.
Ajo ka akuzuar kundërshtarët politikë se po përpiqen të mbulojnë dështimet e tyre përmes propagandës, ndërsa ka theksuar se Kosova ka nevojë për, siç e quajti ajo, një bashkim të së djathtës dhe një vizion zhvillimor.
“Sa më shumë sulme, aq më i madh bashkimi”, ka përfunduar ajo në reagimin e saj. /Lajmi.net/