Komunat në kolaps financiar: Mbi 344 milionë euro të humbura dhe deri 20 milionë të tjera në rrezik
Komunat e Kosovës po përballen me një krizë të thellë financiare, teksa dëmet e shkaktuara nga vendimet gjyqësore dhe moszbatimi i vendimeve kushtetuese po rëndojnë ndjeshëm buxhetet lokale. Kryetari i Asociacioni i Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se mbi 344 milionë euro tashmë janë humbur nga komunat gjatë periudhës 2022–2026, kryesisht…
Lajme
Komunat e Kosovës po përballen me një krizë të thellë financiare, teksa dëmet e shkaktuara nga vendimet gjyqësore dhe moszbatimi i vendimeve kushtetuese po rëndojnë ndjeshëm buxhetet lokale.
Kryetari i Asociacioni i Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se mbi 344 milionë euro tashmë janë humbur nga komunat gjatë periudhës 2022–2026, kryesisht si pasojë e vendimeve gjyqësore që lidhen me kontratën kolektive. Sipas tij, vetëm në muajt e parë të vitit 2026 janë ekzekutuar rreth 55 milionë euro.
Ai paralajmëron se situata po përkeqësohet edhe më tej, pasi komunat rrezikojnë të përballen me një barrë shtesë prej 15 deri në 20 milionë eurosh, si rezultat i moszbatimit të vendimit të Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës nga ana e Ministrisë së Financave, e udhëhequr nga Hekuran Murati.
“Kjo barrë shtesë vjen si pasojë e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me përllogaritjen e shtesës për përvojën e punës (0.5% në vend të 0.25%) për periudhën 2023–2025”, ka theksuar Ibrahimi.
Sipas tij, komunat po përballen me një presion të trefishtë financiar: nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore për kontratën kolektive, nga ndikimi negativ në buxhetet komunale dhe investimet kapitale, si dhe nga detyrimet e reja që burojnë nga moszbatimi i vendimeve kushtetuese.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe obliguese për të gjitha institucionet. Moszbatimi i tyre jo vetëm që cenon rendin kushtetues, por prodhon pasoja direkte financiare që në këtë rast po i barten padrejtësisht komunave”, është shprehur ai.
Ibrahimi ka theksuar se komunat nuk kanë pasur asnjë rol në krijimin e kësaj situate, duke nënvizuar se politikat e pagave dhe zbatimi i vendimeve kushtetuese janë përgjegjësi ekskluzive e nivelit qendror.
“Megjithatë, në praktikë, faturat po paguhen nga buxhetet komunale, duke rrezikuar seriozisht funksionimin normal të pushtetit lokal dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, ka deklaruar ai.
Në këtë kontekst, ai ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente nga Qeveria e Kosovës.
“Kërkohet që Qeveria të marrë përgjegjësinë e plotë financiare për këto obligime dhe të sigurojë zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që komunat të mos penalizohen për një dështim që nuk u takon”, ka përfunduar Ibrahimi. /Lajmi.net/