Presidenti kroat reagon ashpër: Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nuk përbëjnë kërcënim për Serbinë
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, i ka cilësuar si “marrëzira” pretendimet se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten për sulm ndaj Serbisë, duke theksuar se narrativat e tilla e vështirësojnë ndërtimin e marrëdhënieve normale dhe miqësore në rajon. Ai tha se Kroacia nuk e sheh askënd si armik dhe shpreson që as vetë nuk shihet…
Lajme
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, i ka cilësuar si “marrëzira” pretendimet se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten për sulm ndaj Serbisë, duke theksuar se narrativat e tilla e vështirësojnë ndërtimin e marrëdhënieve normale dhe miqësore në rajon.
Ai tha se Kroacia nuk e sheh askënd si armik dhe shpreson që as vetë nuk shihet si e tillë nga të tjerët, përveç, siç u shpreh ai, atyre që përhapin dezinformata të tilla.
“Me njerëz që flasin marrëzira se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten të sulmojnë Serbinë është vështirë të ndërtohen marrëdhënie të shëndosha dhe miqësore, të cilat ne i synojmë”, u shpreh Milanović gjatë një fjalimi me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Brigadës së Tretë Gardiste “Kune”.
Presidenti kroat theksoi se vendi i tij synon marrëdhënie paqësore dhe të qytetëruara me fqinjët, në dobi të ndërsjellë.
“Kroacia e di kush është dhe për çfarë është e aftë. Ne nuk kemi armiq dhe duam të ndërtojmë raporte paqësore e të qytetëruara në interes të përbashkët”, tha ai.
Duke folur për rajonin, Milanović shtoi se në kohën e sfidave globale, prioritet duhet të jetë stabiliteti i brendshëm dhe përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët, përfshirë Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, si dhe adresimi i çështjes së popullit kroat në Bosnje e Hercegovinë. /Lajmi.net/