“31 maji ose 7 qershori datat për mbajtjen e zgjedhjeve” – Cakolli thotë se Haxhiu ka 10 ditë kohë për ta caktuar atë

Eugen Cakolli nga IKD ka shkruar në lidhje me shpërndarjen e Kuvendit, dhe ato çka pasojnë tani. Ai përmes një postimi ka thënë U.D e Presidentes, Albulena Haxhiu ka afat 10 ditë për të caktuar datën e zgjedhjeve, pas konsultimit me partitë politike dhe KQZ-bë. “Zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve, por…

Lajme

29/04/2026 12:16

Eugen Cakolli nga IKD ka shkruar në lidhje me shpërndarjen e Kuvendit, dhe ato çka pasojnë tani.

Ai përmes një postimi ka thënë U.D e Presidentes, Albulena Haxhiu ka afat 10 ditë për të caktuar datën e zgjedhjeve, pas konsultimit me partitë politike dhe KQZ-bë.

“Zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve, por jo më herët se 30 ditë, nga shpërndarja e Kuvendit. Megjithatë, afati 10-ditor i U.D. Presidentes për shpalljen e zgjedhjeve nuk e shtyn afatin e fundit për mbajtjen e tyre – që mund të jetë vetëm 31 maji ose 7 qershori”, ka thënë Cakolli.

Ai ka thënë se me shpërndarjen e Kuvendit, ka përfunduar edhe mandati i Qeverisë.

“Nga mesnata e mbrëmshme, Qeveria konsiderohet në dorëheqje dhe veprimtaria e saj kufizohet vetëm në punë të domosdoshme dhe të planifikuara sipas buxhetit (që ka pasur mangësi të shumta) dhe planit vjetor (që nuk është publik). Qeveria nuk mund të propozojë më projektligje të reja, strategji apo dokumente tjera politike, nuk mund të iniciojë emërime në pozita publike dhe nuk mund të ndërmarrë marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim nga Kuvendi”, ka thënë Cakolli.

Ai ka spjeguar se projektligjet në procedurë parlamentare rikthehen në pikën zero.

“Në Kuvend kanë qenë rreth 30 projektligje në shqyrtim. Me shpërndarjen legjislaturës, këto nuk vazhdojnë më tutje, meqë i gjithë procesi legjislativ duhet të rifillojë nga pika zero pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re”, ka shtuar Cakolli.

Ai ka thënë gjithashtu se raportet e institucioneve të pavarura mbesin pa shqyrtim.

“Asnjë raport vjetor i institucioneve të pavarura që i raportojnë Kuvendit nuk është miratuar. Me mungesën e Kuvendit funksional, këto raporte mbesin pezull dhe nuk trajtohen deri në krijimin e legjislaturës së re, duke pamundësuar llogaridhënien”, ka shtuar Cakolli.

Sipas tij, deri në mbajtjen e zgjedhjeve dhe krijimin e institucioneve të reja – që do të marrë kohë të paktën tre-katër muaj – shteti do të jetë në pauzë. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: