Tahiri: AAK nuk ka qenë e ftuar në asnjë diskutim, ne nuk duam të bëhemi pjesë e një shkatërrimi të rendit kushtetues

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka folur pas konferencës së Albin Kurtit për media, që ka kërkuar 15 nënshkrime nga LDK dhe emrin e kandidatit. Ai ka thënë se deputetët e opozitës pra AAK-së sidomos nuk janë strukur por nuk duan të bëhen pjesë e një shkatërrimi të rendit kushtetues, apo siç…

Lajme

28/04/2026 21:03

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka folur pas konferencës së Albin Kurtit për media, që ka kërkuar 15 nënshkrime nga LDK dhe emrin e kandidatit.

Ai ka thënë se deputetët e opozitës pra AAK-së sidomos nuk janë strukur por nuk duan të bëhen pjesë e një shkatërrimi të rendit kushtetues, apo siç e ka quajtur ai spektakël publik dhe politik që po zgjat 4 muaj pa ndalur.

“Ne jemi këtu në Kuvend, në zyret tona duke e përcjell me shqetësim të madh por në të njëjtën kohë edhe me përgjegjshmëri politike si AAK. Ne nuk bëhemi pjesë e një procesi i cili veq emrin demokraci dhe zgjedhje të Presidentit nuk e ka, por e ka emrin manipulim politik i opinionit publik. Ne nuk duam që të jemi pjesë e krejt këtij komploti që po i bëhet shtetit, në asnjë rrethanë dhe asnjë moment. Po të donte Albin Kurti të zgjedh President, ai ja kish dhënë mundësinë për diskutim kandidatëve të opozitës se nuk i ka numrat, nuk i ka 80 vota dhe në një situatë të tillë emrat duhet të vinë nga opozita, të diskutohen dhe nuk duhet të merrne vesh nga mediat por nga diskutimi i sinqertë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se Kurti fliste poshtë për nënshkrime ndërsa nuk shkon te zyra e LDK-së që të gjej zgjidhje.

“Kjo është tendencë t’ia bart fajin herë në një anë e herë në një tjetër.”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se AAK nuk ka qenë e ftuar në asnjë diskutim.

“AAK nuk ka qenë e ftuar në asnjë diskutim, por në asnjë moment dhe situatë nuk e ka iik veten për të votuar marrëveshjet ndërkombëtare, për të dhënë argument politik. Në këto rrethana ne qëndrojmë në besimin tonë të një partie serioze shtetformuese”, ka shtuar Tahiri. /Lajmi.net/