Haziri-Kurtit për dyshimet e nënshkrimeve: E kemi bërë të qartë se Osmani mund të jetë kandidate

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri në DPT te Fidani në Klan Kosova, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, i cili pati dyshime për nënshkrimet e LDK-së për president. Kurti tha në një konferencë për media se LDK-ja mbrëmë (e hënë, 27 prill) prezantoi një dokument me 15 nënshkrime të grupit të tyre…

Lajme

28/04/2026 18:37

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri në DPT te Fidani në Klan Kosova, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, i cili pati dyshime për nënshkrimet e LDK-së për president.

Kurti tha në një konferencë për media se LDK-ja mbrëmë (e hënë, 27 prill) prezantoi një dokument me 15 nënshkrime të grupit të tyre parlamentar, i cili, sipas tij, mbante datën 25 prill dhe nuk tregonte se për çka janë ato nënshkrime.

E Haziri, në prononcimin e tij në Klan Kosova, tha se nënshkrimet janë dhënë për çështjen e presidentit, duke mos specifikuar se a kanë qenë për ndonjë emër të përveçëm apo jo.

“Nënshkrimet a janë për Osmanin apo dikë tjetër, ne përmes kryetarit Abdihxiku e kemi bërë të qartë se edhe Osmani mund të jetë kandidate, mund të jetë, por kandidati në emër të LDK-së duhet të diskutohet brenda LDK-së. Ne kemi qenë të gatshëm, kemi pasë vullnet të mirë, kemi pas qasje pozitive me i dhënë vendit president. Ne jemi të vetëdijshëm që zonja Osmani, përkundër që me emër të saj është bërë gara e 28 dhjetorit dhe për të është garuar dhe janë mbledh vota nga eksponentë dhe lista e LVV dhe pjesën e partive tjera, ka qenë e pritur, por Kurti vendosi që pas 28 dhjetorit të bëjë konstituimin e Kuvendit, me zgjedh qeverinë, me miratu buxhetin, marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat ne i kemi votu, nuk e kemi blloku. Cila është arsyeja me na thënë sot po e pengoni zgjehdjen e Presidentit? Nuk ka”.

“Ne jemi zgjidhja e çdo lloj problemi, por jo me na trajtu si shtesë, si pjesë të qeverisjes së tretë, apo vetëm si objekt në të cilin mundet me gjete faj e fajtor”, shtoi ai. .

Tutje, ai tha se LDK-ja ka qenë e gatshme për arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e presidentit, por theksoi se Kurti gjithmonë “i gjen behane LDK-së”.

“E para dhe më e rëndësishmja, [jemi taku] me i dhënë mundësi edhe arritjes se një marrëveshje dhe ndërtimit të besimit. Me këtë lloj energjie çfarë po jepet e kundërta, me arsyetu, me kundërshtu me repliku, me gjet, behane, ishte arritur qëllimi menjëherë, në fund të janarit ishin kry pjesa më e madhe e punëve. Por e ka bërë një renditje të pesë hapave gabim, ka deshmu që LDK-ja me konstruktivitet me bashkëpunim dhe pragmatizëm, ka zbatu dhe pranu rezultatin e zgjedhjeve. Ne kemi marrë pjesë në të gjitha takimet dhe kemi dashtë me arrit një marrëveshje për president dhe kemi përfundu me ofertë për kuvend ose për qeveri. Kjo është ajo që zotëri Kurti kur e sheh LDK-në, thotë ‘Nusja e mirë por syri qorr’. Behanen e gjen gjithmonë, çdo lloj veprimi që ne kemi bërë, behanen e ka gjete, sikur edhe mbrëmë”.

“Lumir Abdixhiku e ka pas Grupin Parlamentar në mbështetje të plotë, që nga takimi i parë me Kurtin. I ka dhënë mbështetje për arritjen e një marrëveshjeje për president. Çështja e emrit natyrisht është diskutu mes palëve, por pas një vendimi të LDK-së. Abdixhiku e ka bërë me dije që LDK-ja duhet me u dëgju dhe me vendos, por jo LDK-ja më u thirr për me bo kuorum dhe LDK-ja me u thirr më u tregu se a po i pëlqejnë emrat e propozuar”, ka thënë Haziri.