Aksion policor në tri rajone: Arrestohen pesë persona për falsifikim dokumentesh dhe korrupsion

Policia e Kosovës ka njoftuar se pesë persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në disa vepra penale, pas një operacioni të zhvilluar në Ferizaj, Gjilan dhe Prishtinë. Sipas policisë, aksioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Ferizaj, pas një hetimi disa mujor dhe në bazë të urdhëresës…

Lajme

28/04/2026 15:39

Policia e Kosovës ka njoftuar se pesë persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në disa vepra penale, pas një operacioni të zhvilluar në Ferizaj, Gjilan dhe Prishtinë.

Sipas policisë, aksioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Ferizaj, pas një hetimi disa mujor dhe në bazë të urdhëresës së gjykatës, në koordinim me prokurorinë kompetente.

Gjatë kontrolleve në tri lokacione të ndryshme, janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se në bashkëpunim kanë falsifikuar dokumente, duke u paraqitur si pronarë të disa parcelave në një fshat të Ferizajt.

Sipas njoftimit, njëri nga të dyshuarit dyshohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa katër të tjerët për “falsifikim të dokumenteve”, “legalizim të përmbajtjes së rreme” dhe “blerje, pranim ose fshehje të sendeve të përfituara nga vepra penale”.

Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe dokumente dhe dëshmi të ndryshme që pritet të shërbejnë në procedurën penale.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë. /Lajmi.net/