PDK-ja i bën thirrje Feride Rushitit të tërhiqet nga kandidatura: Mos u bë lojë e Albin Kurtit

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka akuzuar qeverinë për “tejkalim të kufijve” dhe “dhunë politike”, duke bërë thirrje për reagim opozitar dhe qytetar për mbrojtjen e rendit kushtetues. Ajo tha se opozita do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ndaluar, siç u shpreh, shkeljet e Kushtetutës nga pushteti. Ajo i ka bërë…

Lajme

28/04/2026 13:46

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka akuzuar qeverinë për “tejkalim të kufijve” dhe “dhunë politike”, duke bërë thirrje për reagim opozitar dhe qytetar për mbrojtjen e rendit kushtetues.

Ajo tha se opozita do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ndaluar, siç u shpreh, shkeljet e Kushtetutës nga pushteti.

Ajo i ka bërë thirrje Feride Rushitit të tërhiqet nga kandidatura për presidente, pasi sipas saj, kjo është lojë politike e Albin Kurtit.

“Por me veprimet e fundit, duket t’i ketë kaluar të gjithë kufijtë. Në këtë situatë, reagimi opozitar dhe qytetar është detyrim, për të mbrojtur rendin kushtetues dhe të ardhmen e vendit tonë. Dhe ne si subjekt politik opozitar, do t’i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për këtë. Dhe sot nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, dua të apeloj te partia në pushtet, që t’i ndërpresë këto veprime karateje të dhunës politike, sepse ky nuk është kuvend i karatesë, por institucion i të zgjedhurve të popullit. Po ashtu, nga zemra i bëj thirrje zonjës së nderuar, Feride Rushitit, që të tërhiqet nga kjo lojë politike, antikushtetuese e Albin Kurtit, e cila është e dëmshme për shtetin dhe atë vetë”, tha ajo.

Çitaku kritikoi edhe përfshirjen e Feride Rushitit në proces, duke e cilësuar si pjesë të një “maskarade politike”.

“Sinqerisht më vjen keq që ka pranuar të huazojë politikisht emrin e saj për një maskaradë të rrezikshme politike. Si PDK, e çmojmë angazhimin e saj në shoqërinë civile. Mirëpo sot, puna më e rëndësishme që mund t’i bëjë vetes dhe nderi më i madh që mund t’i bëjë vendit, është të largohet nga kjo garë”, tha ajo.

Ajo theksoi se Kushtetuta dhe ligjet nuk mund të interpretohen sipas interesave politike, duke paralajmëruar se veprimet e tilla rrezikojnë themelet e shtetit.

“Kushtetuta, ligjet dhe rregullorja nuk mund të interpretohen sipas interesit ditor politik. Dhe kur një kryeministër, lider politik, zgjedh me vetëdije të plotë të shkelë Kushtetutën për pushtet të përkohshëm, ai bëhet rrezik edhe për vetë themelet e shtetit. Këto veprime janë sinjale të qarta se pushteti po vendoset mbi Kushtetutën dhe ligjin. Dhe këtë nuk do ta lejojmë. Dhe këtë, së bashku me qytetarët e Kosovës, do ta ndalim”.

“Stop dhunës politike në kuvend”, tha ajo./Lajmi.net/