Flutura Kusari: Publikimi i SMS-së së deputetit Bardiqi është në interes publik dhe nuk përbën shkelje privatësie
Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me publikimin e një SMS-je të deputetit Naim Bardiqi nga mediat, përfshirë Ekonomia Online. Ajo ka argumentuar se publikimi nuk përbën shkelje të privatësisë, duke u mbështetur në standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), dhe duke theksuar se…
Lajme
Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me publikimin e një SMS-je të deputetit Naim Bardiqi nga mediat, përfshirë Ekonomia Online.
Ajo ka argumentuar se publikimi nuk përbën shkelje të privatësisë, duke u mbështetur në standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), dhe duke theksuar se rasti ka interes publik.
Sipas saj, mesazhi i publikuar lidhet me funksionimin politik dhe institucional të partisë në pushtet dhe nuk ka karakter privat familjar apo intim.
“Media ka publikuar një SMS që tregon mënyrën e funksionimit të Lëvizjes Vetëvendosje, partia më e madhe në vend, dhe kjo është patjetër në interes publik”, ka shkruar Kusari.
Ajo ka theksuar se figurat politike, veçanërisht deputetët, i nënshtrohen një niveli më të lartë kontrolli publik dhe kritikës mediatike
“Të gjithë deputetët e dinë që veprimet e tyre monitorohen dhe duhet të tregojnë tolerancë ndaj ekspozimit publik”, ka shtuar ajo.
Në analizën e saj, Kusari ka përmendur edhe standardet e privatësisë, duke theksuar se mbrojtja nuk vlen për komunikime me relevancë politike, por vetëm për ato tërësisht private.
Ajo ka vlerësuar gjithashtu se publikimi është bërë në mënyrë të ligjshme dhe jo sensacionale, pa përdorim të metodave të paligjshme të sigurimit të materialit.
Kusari ka cituar edhe praktikën e GjEDNj-së në rastin Von Hannover v. Germany (No. 1), duke e përdorur si bazë për argumentin se interesi publik mund të tejkalojë pritjet për privatësi të figurave publike.
Në fund të postimit të saj, ajo ka theksuar se gazetarët duhet të vazhdojnë të raportojnë çështje me interes publik dhe se ankesat ndaj mediave në raste të tilla, sipas saj, nuk duhet të kenë sukses në institucione. /Lajmi.net/