Seanca për zgjedhjen e presidentit shtyhet për në ora 14:00

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu është deklaruar sërish sot në Kuvendin e Kosovës. Ajo bëri një sërë leximesh se si deputetët e pozitës duhet të jenë të pranishëm sot në seancë. Pas kësaj pasi askush nga opozita as dje as sot nuk erdhën në seancë, ajo bëri thirrje që seanca të nis sërish…

Lajme

28/04/2026 11:10

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu është deklaruar sërish sot në Kuvendin e Kosovës.

Ajo bëri një sërë leximesh se si deputetët e pozitës duhet të jenë të pranishëm sot në seancë.

Pas kësaj pasi askush nga opozita as dje as sot nuk erdhën në seancë, ajo bëri thirrje që seanca të nis sërish në ora 14:00, transmeton lajmi.net.

“Për t’ju dhënë mundësinë atyre që të jenë të pranishëm në seancë pas këtyre leximeve që bëra. Po e vazhdojmë këtë seancë në ora 14:00. Pra shihemi në ora 2”.

Çka thuhet në aktvendimin e Kushtetueses?

“Në mënyrë që rundi i parë i votimit të jetë i vlefshëm, të paktën 2/3 (dy të tretat) e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Nëse ky kusht nuk përmbushet, rundi i parë do të jetë i pavlefshëm. Rrjedhimisht, nuk mund të mbahet rundi i dytë. Në mënyrë që rundi i dytë i votimit të jetë i vlefshëm, numri i njëjtë, pra të paktën 2/3 (dy të tretat) e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Nëse ky kusht nuk përmbushet, rundi i dytë i votimit do të jetë i pavlefshëm. Vetëm atëherë kur rundi i parë dhe rundi i dytë i votimit janë të vlefshëm, mbahet rundi i tretë. Për të qenë i vlefshëm, rundi i tretë kërkon të paktën praninë dhe votimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit”.

Ky afat i 28 prillit u vendos pasi ish-presidentja Vjosa Osmani, më 6 mars, nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit.

Kjo ndodhi pas dështimit për të përmbyllur zgjedhjen e presidentit brenda afatit të 5 marsit, për shkak të mungesës së kuorumit.

Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë dekret, duke e shpallur pa efekt juridik dhe duke i dhënë Kuvendit afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit të ri.

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Pavarësisht disa përpjekjeve të raportuara, partitë nuk arritën të bien dakord për kandidatët që do të garonin për postin e presidentit të shtetit.

Çfarë ndodhi në seancën e 27 prillit?

Një seancë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës u mbajt të hënën, më 27 prill, me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për postin e presidentes u propozuan dy kandidate: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Në seancë morën pjesë vetëm deputetët e LVV-së dhe të komuniteteve joshumicë, ndërsa opozita nuk ishte e pranishme, duke bërë që të mungonte kuorumi i nevojshëm prej së paku 80 deputetësh në sallë.

Pavarësisht kësaj, rundi i parë i votimit u zhvillua.

Në votim, Feride Rushiti mori 63 vota, Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë, ndërsa një vote ishte e pavlefshme.

Opozita dhe përfaqësues të shoqërisë civile reaguan pas seancës, duke theksuar se zhvillimi i votimit pa kuorum cenon legjitimitetin e procesit dhe rendin kushtetues të vendit./Lajmi.net/