“Kurrë s’kemi dëgju seancë për diskutim për presidentin”- Nis diskutimi pozitë-opozitë për seancën e presidentit

Në Kuvendin e Kosovës ka filluar veçse përplasja në mes pozitës dhe opozitës në lidhje me seancën e jashtëzakonshme të caktuar në ora 17:00, për çështjen e presidentit. Albulena Haxhiu, si kryetare e Kuvendit ka kërkuar që deputetët të jenë të pranishëm në seancën që pritet të nisë në ora 17:00, duke përmendur nevojën për…

Lajme

27/04/2026 15:03

Në Kuvendin e Kosovës ka filluar veçse përplasja në mes pozitës dhe opozitës në lidhje me seancën e jashtëzakonshme të caktuar në ora 17:00, për çështjen e presidentit.

Albulena Haxhiu, si kryetare e Kuvendit ka kërkuar që deputetët të jenë të pranishëm në seancën që pritet të nisë në ora 17:00, duke përmendur nevojën për sigurimin e konsensusit për zgjedhjen e presidentit.

“Është e rëndësishme që të jeni të pranishëm në seancë dhe deri atëherë të shpresojmë që të kemi emra dhe konsensus për president”, ka thënë Haxhiu.

Ajo gjithashtu tha se “s’ka Zanzibar më”.

Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se mungesa e marrëveshjes politike po e çon vendin në një situatë të re.

“Unë nuk e di ‘zanzibarin’, por e di që Kosova nuk ka pasur kurrë krizë të tillë për zgjedhjen e presidentit. Hera e parë që vendi po shkon në zgjedhje për shkak të mungesës së konsensusit”, ka thënë Tahiri.

Ndërkohë, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deputetja Time Kadrijaj ka kritikuar thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, duke thënë se një situatë e tillë nuk është reale.
Ajo deklaroi se prej sa vitesh sa është deputete asnjëherë s’ka pasur seancë për diskutim mbi presidentin.

“Keni shpikur një ngjarje që nuk ekziston, për të thirrur seancë të jashtëzakonshme për presidentin”, është shprehur Kadrijaj.

Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme erdhi nga kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, në emër të disa deputetëve nënshkrues nga ky subjekt.

“Nisur nga obligimi kushtetues i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, përmes kësaj shkrese kërkon thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për të diskutuar lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në arsyetimin e kërkesës së deputetëve të LVV-së./Lajmi.net/