Mbi 1,200 nënshkrime në peticionin online që Murat Jashari të bëhet president

Mbi 1,200 persona kanë nënshkruar në peticionin online që synon të ndikojë në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, duke kërkuar që kandidatura e Prof. Murat Jashari të merret seriozisht në shqyrtim nga institucionet. Nisma qytetare i drejtohet drejtpërdrejt Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke kërkuar që përzgjedhja e presidentit të reflektojë vullnetin dhe…

Lajme

26/04/2026 14:21

Mbi 1,200 persona kanë nënshkruar në peticionin online që synon të ndikojë në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, duke kërkuar që kandidatura e Prof. Murat Jashari të merret seriozisht në shqyrtim nga institucionet.

Nisma qytetare i drejtohet drejtpërdrejt Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke kërkuar që përzgjedhja e presidentit të reflektojë vullnetin dhe pritjet e qytetarëve, si dhe të garantojë dinjitet dhe përfaqësim të denjë në krye të shtetit.

Autori i peticionit Eleonit Smajli thekson se në një moment të rëndësishëm për funksionimin e institucioneve, zëri i qytetarëve duhet të ketë peshë vendimtare.

Sipas tij, Presidenca shihet si simbol i unitetit dhe vazhdimësisë shtetërore, duke kërkuar që procesi i zgjedhjes të jetë në përputhje me vlerat dhe sakrificat mbi të cilat është ndërtuar shteti.

Për të parë Peticionin, kliko KËTU.

Kujtojmë se Murat Jashari edhe më parë ishte konsideruar si kandidat i duhur për President nga kryeministri, Albin Kurti.

Por, ishte vetë Murati që pati deklaruar se nuk ka interesim për këtë pozitë.

“Partitë po shprehin gatishmërinë e tyre, ato po shpresojnë në këtë çështje. Unë i falënderoj që na besojnë ose më besojnë për pozita të tilla. Por ua kam bërë të qartë se cilat janë arsyet pse unë nuk e bëj, sepse mbi supet e mia rëndon një barrë e madhe”, pati deklaruar Jashari.

Madje, Murati kishte deklaruar se këtë pozitë do ta pranonte vetëm në gjendje të jashtëzakonshme duke shtuar se gjithmonë është i gatshëm, nëse është nevoja të sakrifikohet për vendin.

“Vetëm në gjendje të jashtëzakonshme, ruana Zot ndonjë luftë civile, ndonjë rrezik i madh kombëtar ku cenohet bërthama e kombit tonë dhe e vendit tonë, atëherë kush jam unë të mos sakrifikohem për këtë vend? Pra, unë jam gjithmonë i gatshëm, me gjithë fëmijët që m’i ka falë Zoti, të sakrifikohem për këtë vend. Ama jo ta keqpërdor emrin e familjes Jashari për pozita personale. Këto duhet t’i kuptojë opinioni i gjerë”, ka thënë ai.