Sveçla në Jordani: Sulmi në Banjskë dëshmi e lidhjes mes krimit dhe terrorizmit

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se këtë të premte mori pjesë në takimin e nivelit ministror në kuadër të Procesit Aqaba, të organizuar nga Mbretëria Hashemite e Jordanisë dhe Republika e Greqisë. Siç bën të ditur Sveçla, gjatë sesioneve të forumit ku u trajtuan trajtuan çështjet e…

Lajme

24/04/2026 20:27

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se këtë të premte mori pjesë në takimin e nivelit ministror në kuadër të Procesit Aqaba, të organizuar nga Mbretëria Hashemite e Jordanisë dhe Republika e Greqisë.

Siç bën të ditur Sveçla, gjatë sesioneve të forumit ku u trajtuan trajtuan çështjet e krimit të organizuar dhe terrorizmit, theksoi se ndërlidhja e këtyre dy fenomeneve përbën një nga kërcënimet më serioze për sigurinë globale dhe rajonale.

Sipas tij, Kosova ka qenë dëshmitare e drejtpërdrejtë e kësaj lidhjeje, veçanërisht në pjesën veriore të vendit, ku për vite me radhë kanë vepruar struktura kriminale në një ambient të favorshëm për to.

Ai iu referua sulmit terrorist në Banjskë dhe sulmit në kanalin Ibër–Lepenc, duke i cilësuar si shembuj të qartë të përdorimit të rrjeteve kriminale për qëllime destabilizuese politike.

“Sulmi terrorist në Banjskë dhe ai në kanalin Ibër–Lepenc dëshmuan qartë se si rrjetet kriminale mund të shndërrohen në instrumente destabilizimi me qëllime politike. Para të pranishmëve prezantova punën e jashtëzakonshme të institucioneve tona, të cilat me profesionalizëm dhe përkushtim ndaj sundimit të ligjit kanë rikthyer kontrollin e shtetit tonë në veri, duke goditur grupet kriminale e terroriste dhe strukturat ilegale të Serbisë. Theksova se angazhimi ynë shumëdimensional shtetëror ka qenë kyç në goditjen e burimeve financiare të këtyre rrjeteve, përmes zbulimit të laboratorëve të drogës, armëve ilegale, aktiviteteve me kriptovaluta dhe financimeve të dyshimta që i kanë mirëmbajtur këto grupe”, ka shkruar Sveçla.

Sveçla vlerësoi punën e institucioneve të sigurisë së Kosovës, duke theksuar se ato kanë vepruar me profesionalizëm dhe përkushtim në zbatimin e sundimit të ligjit, si dhe në rikthimin e kontrollit shtetëror në veri të vendit përmes goditjes së grupeve kriminale dhe strukturave ilegale.

Ai shtoi se qasja shumëdimensionale e shtetit ka qenë vendimtare në luftimin e burimeve financiare të këtyre rrjeteve, përfshirë zbulimin e laboratorëve të drogës, armëve ilegale, aktivitetet me kriptovaluta dhe financimet e dyshimta.

“Përmes operacioneve të suksesshme ndërkombëtare si “Qielli i Thyer”, Kosova ka dëshmuar se nuk është vetëm përfituese, por edhe kontribuese aktive në sigurinë globale. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë sovranitetin e vendit tonë, duke kontribuar njëkohësisht në sigurinë kolektive të rajonit dhe më gjerë. Falënderoj Jordaninë për ftesën dhe Greqinë për mikpritjen. Ky forum forcon bashkëpunimin dhe vendosmërinë tonë të përbashkët për t’u përballur me sfidat globale të sigurisë”, ka shkruar Sveçla.