Rriten kapacitetet, zyrtarët policorë për dronë dhe antidronë përfundojnë trajnimin
Zyrtarë policorë të Njësisë për Dronë dhe Antidronë kanë përfunduar me sukses trajnimin për trajnerë (TiT) për përdorimin e dronëve, i cili është realizuar në kuadër të mbështetjes nga Projekti HAPE, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të Njësisë për Dron dhe Antidronë. Trajnimi është zhvilluar gjatë periudhës mars – prill, në kohëzgjatje prej dy…
Lajme
Zyrtarë policorë të Njësisë për Dronë dhe Antidronë kanë përfunduar me sukses trajnimin për trajnerë (TiT) për përdorimin e dronëve, i cili është realizuar në kuadër të mbështetjes nga Projekti HAPE, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të Njësisë për Dron dhe Antidronë.
Trajnimi është zhvilluar gjatë periudhës mars – prill, në kohëzgjatje prej dy javësh dhe është organizuar në dy faza. Faza e parë, e mbajtur nga 23 deri më 27 mars, ka shërbyer si fazë përgatitore, duke u fokusuar në aspektin akademik dhe zhvillimin e kurrikulës për instruktorët e rinj. Ndërkaq, faza e dytë, e realizuar nga 13 deri më 24 prill, ka përfshirë trajnimin e trajnerëve (TiT) si dhe njëkohësisht trajnimin bazik për kandidatët e rinj.
Në kuadër të këtij aktiviteti, janë certifikuar gjithsej 12 pjesëmarrës, përkatësisht: 6 pjesëmarrës (pesë zyrtarë policorë dhe një zyrtar doganor) kanë përfunduar me sukses trajnimin e trajnerëve (TiT), duke fituar kompetencat e nevojshme për të zhvilluar trajnime të mëtejshme brenda institucioneve përkatëse, si dhe 6 zyrtarë policorë kanë përfunduar trajnimin bazik për përdorimin e dronëve.
Trajnimi është mbajtur në Kampin e Njësive Speciale “Vrella”, në afërsi të Aeroportit të Prishtinës dhe është realizuar në përputhje me agjendën e paraparë dhe objektivat e përcaktuara.
Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të kapaciteteve të brendshme trajnuese dhe garanton qëndrueshmëri në zhvillimin e mëtejmë të aftësive profesionale në fushën e përdorimit të dronëve, si në Policinë e Kosovës ashtu edhe në Doganat e Kosovës.