Kurti shkruan në Librin e Zisë për Rexhep Qosjen: Vepra e tij e mbijeton shumëfish jetën e tij

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë sot homazhe në hollin e Kuvendit të Kosovës në nderim të akademikut të ndjerë Rexhep Qosja, në kuadër të aktiviteteve përkujtimore për jetën dhe veprën e tij. Me këtë rast, Kurti ka nënshkruar edhe Librin e Zisë, duke vlerësuar lart figurën e Qosjes si një prej intelektualëve më…

Lajme

24/04/2026 14:19

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë sot homazhe në hollin e Kuvendit të Kosovës në nderim të akademikut të ndjerë Rexhep Qosja, në kuadër të aktiviteteve përkujtimore për jetën dhe veprën e tij.

Me këtë rast, Kurti ka nënshkruar edhe Librin e Zisë, duke vlerësuar lart figurën e Qosjes si një prej intelektualëve më të rëndësishëm të kulturës dhe mendimit shqiptar, transmeton lajmi.net.

Në shënimin e tij, kryeministri ka theksuar kontributin e gjerë të akademikut në letërsi, histori, gjuhësi dhe publicistikë.

“Akademik e profesor Rexhep Qosja është mendje e ndritur që do të udhëzojë edhe shumë breza të tjerë pas nesh se si të ecin përpara në të ardhmen më të mirë për kombin e shoqërinë, me punë të palodhshme, mendim kritik, dashuri për atdheun dhe dije që zgjerohet.

Vepra e tij e mbijeton shumëfish jetën e tij. Jeta jonë fiton shpresë me veprën e tij. Letërsia dhe historia, gjuha dhe publicistika e kanë gjurmë të thellë Rexhep Qosjen. U prehtë në paqe!”, ka shkruar Kurti në Librin e Zisë.

Ai ka përmbyllur shënimin me fjalët: “Me nderime dhe pikëllim, Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës”, duke e datuar homazhin më 24 prill 2026./lajmi.net/