Mësimdhënësi nga Rahoveci intervistohet nga Policia pas videos me thikë, iniciohet rast për vepër penale nga Prokuroria

Mësimdhënësi nga Rahoveci është intervistuar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se ka përdorur një thikë brenda një klase me nxënës, duke shkaktuar shqetësim për sigurinë në shkolla. Rasti ka ndodhur më 2 prill dhe, sipas autoriteteve, veprimi i tij është incizuar, ndërsa videoja më pas është shpërndarë në internet. Zëdhënësi i Policisë për rajonin…

Lajme

23/04/2026 19:19

Mësimdhënësi nga Rahoveci është intervistuar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se ka përdorur një thikë brenda një klase me nxënës, duke shkaktuar shqetësim për sigurinë në shkolla.

Rasti ka ndodhur më 2 prill dhe, sipas autoriteteve, veprimi i tij është incizuar, ndërsa videoja më pas është shpërndarë në internet.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj për lajmi.net ka bërë të ditur se i dyshuari është intervistuar në stacionin policor në Rahovec.

“Sot, në cilësinë e të dyshuarit, në Stacionin Policor në Rahovec është intervistuar një mësimdhënës, i cili dyshohet se më datën 02.04.2026, brenda një klase, në një shkollë të Rahovecit, ka manipuluar me një thikë gjepi. Veprimi i tij ishte incizuar dhe videoja është shpërndarë në internet”, ka deklaruar Elezaj.

Ai shtoi se pas konsultimit me prokurorin e shtetit, ndaj mësimdhënësit është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Megjithatë, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet në trajtim nga organet kompetente./lajmi.net/