The Guardian: BE-ja dhe SHBA drejt një përplasjeje të re për projektin e gazsjellësit në Bosnje
Një raportim i fundit nga media britanike The Guardian sugjeron se tensionet mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara mund të thellohen sërish, këtë herë për shkak të një projekti energjetik në Bosnje dhe Hercegovinë. Pas mosmarrëveshjeve për çështje si Ukraina dhe Irani, përplasja e radhës lidhet me një gazsjellës që planifikohet të ndërtohet në…
Bota
Një raportim i fundit nga media britanike The Guardian sugjeron se tensionet mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara mund të thellohen sërish, këtë herë për shkak të një projekti energjetik në Bosnje dhe Hercegovinë.
Pas mosmarrëveshjeve për çështje si Ukraina dhe Irani, përplasja e radhës lidhet me një gazsjellës që planifikohet të ndërtohet në territorin boshnjak.
Sipas raportit, projekti është në pronësi të një kompanie amerikane të lidhur me rrethin e afërt të presidentit Donald Trump, transmeton lajmi.net.
Bëhet fjalë për kompaninë “AAFS Infrastructure and Energy”, e cila thuhet se ka marrë kontratën pas presioneve të vazhdueshme nga zyrtarë amerikanë ndaj autoriteteve në Bosnje.
Kompania drejtohet nga figura të njohura në politikën amerikane, përfshirë avokatin Jesse Binnall dhe Joe Flynn, vëllai i ish-këshilltarit për siguri kombëtare të Trump. Sipas burimeve, autoritetet boshnjake kanë vepruar me shpejtësi për të miratuar legjislacionin që i hap rrugë këtij projekti.
Megjithatë, ky veprim ka nxitur reagim nga Bashkimi Evropian. Në një letër zyrtare të datës 13 prill, përfaqësuesi i BE-së Luigi Soreca ka paralajmëruar se ligjet që lidhen me projektin duhet të harmonizohen plotësisht me standardet evropiane. Në të kundërtën, Bosnja rrezikon të dëmtojë progresin drejt integrimit në BE dhe të humbasë mbështetje financiare.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e kompanisë amerikane kanë mbrojtur projektin, duke theksuar se ai synon të forcojë sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të Bosnjës. Sipas tyre, gazsjellësi do të lidhë vendin me një terminal të gazit natyror të lëngshëm në Kroaci, duke mundësuar furnizim alternativ dhe duke reduktuar varësinë nga gazi rus.
Kjo iniciativë vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian ka vendosur objektiv që vendet anëtare dhe ato aspirante të heqin dorë nga importi i gazit rus deri në vitin 2028, pas nisjes së luftës në Ukrainë nga Rusia në vitin 2022./lajmi.net/