Haxhiu: Rexhep Qosja la pas trashëgimi të jashtëzakonshme në mendimin dhe letërsinë shqipe

Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka reaguar pas ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke theksuar se Kosova dhe bota shqiptare kanë humbur një nga figurat më të rëndësishme të mendimit kritik, letërsisë dhe studimeve akademike. Ajo vlerësoi se me vdekjen e tij është humbur “një personalitet që për dekada…

Lajme

23/04/2026 15:00

Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka reaguar pas ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke theksuar se Kosova dhe bota shqiptare kanë humbur një nga figurat më të rëndësishme të mendimit kritik, letërsisë dhe studimeve akademike.

Ajo vlerësoi se me vdekjen e tij është humbur “një personalitet që për dekada me radhë ishte i pranishëm në jetën tonë kulturore, akademike dhe politike”, raporton lajmi.net

“Për më shumë se gjysmë shekulli, Akademik Qosja ishte i pranishëm në hapësirën shqiptare me libra, me studime, me debat dhe me qëndrim. Te ai bashkëjetonin studiuesi i letërsisë, kritiku, romancieri, eseisti, profesori dhe polemisti publik. Në studimet letrare, ai la pas trashëgimi të çmuar për letërsinë shqipe dhe për periudhat e saj vendimtare. Në prozë, me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, solli një nga veprat që zgjeruan kufijtë e romanit shqiptar, duke e kthyer përvojën e frikës, pushtetit dhe shtypjes në letërsi me vlerë të qëndrueshme. Tek “Të fshehtat e treguara”, Qosja dëshmoi se edhe në fund të rrugëtimit krijues mbeti i mprehtë ndaj kohës, shoqërisë dhe ndaj rënies së vlerave”.

Haxhiu shtoi se për shumë breza studentësh, lexuesish e studiuesish, Qosja ishte një shkollë më vete, duke theksuar edhe simbolikën e ndarjes së tij nga jeta në Ditën Ndërkombëtare të Librit.

“Përmes veprës së tij, shumëkush mësoi ta lexojë letërsinë si pasqyrim të shoqërisë, historinë dhe gjuhën si themel identiteti. Rexhep Qosja, iku për në amshim, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Librit, duke na kujtuar se krijuesi nderohet më së shumti me veprën që lë pas. Siç thoshte ai, heronjtë e mendjes i bëjnë ballë kohës më gjatë. Akademik Qosja ishte hero i mendjes, ndaj si i tillë do të jetë udhërrëfyes për brezat”.

Në fund, ajo shprehu ngushëllime për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe lexuesit e tij, duke e përmbyllur reagimin me mesazhin: “I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”./Lajmi.net/