LDK kundër Projektligjit për shtetësinë: Duhet harmonizim me BE, ligji nuk do të votohet pa përmbushur standardet evropiane
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se partia e saj nuk do ta përkrahë Projektligjin për shtetësinë e Kosovës, nëse ai nuk harmonizohet me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Duke folur gjatë seancës parlamentare, ajo theksoi se pas përfundimit të punës së komisionit, çdo…
Lajme
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se partia e saj nuk do ta përkrahë Projektligjin për shtetësinë e Kosovës, nëse ai nuk harmonizohet me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Duke folur gjatë seancës parlamentare, ajo theksoi se pas përfundimit të punës së komisionit, çdo ligj në Kosovë duhet të jetë në përputhje me “acquis communautaire” të BE-së, duke e cilësuar këtë si parim jetik për shtetin e Kosovës.
Sipas saj, në rastin e Projektligjit nr. 10/L-023 për shtetësinë e Kosovës, janë evidentuar probleme të shumta që lidhen me mospërputhjen me legjislacionin evropian dhe mungesën e harmonizimit me rekomandimet e Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Ajo kritikoi gjithashtu procedurën e përshpejtuar të miratimit të ligjit, duke thënë se ai nuk i është nënshtruar të gjitha filtrave të nevojshëm dhe nuk ka pasur shqyrtim të plotë dhe transparent.
“Për aq kohë sa ligji nuk është i harmonizuar me legjislacionin e BE-së, LDK nuk do ta votojë”, u shpreh Lushaku-Sadriu.
Deklarata e saj vjen në një kohë kur në Kuvend po diskutohen një sërë projektligjesh të rëndësishme, të cilat lidhen me procesin e integrimit evropian dhe përafrimin e legjislacionit të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian. /Lajmi.net/