Gashani: Ligji për Lojërat Mesdhetare nuk e përjashton prokurimin publik, synon vetëm fleksibilitet operacional

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se Ligji për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 nuk përmban asnjë përjashtim nga Ligji për Prokurimin Publik dhe se shqetësimet e ngritura lidhur me këtë çështje janë të pabazuara. Duke folur gjatë seancës plenare, Gashani theksoi se ligji nuk është kthyer për…

Lajme

23/04/2026 12:47

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se Ligji për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 nuk përmban asnjë përjashtim nga Ligji për Prokurimin Publik dhe se shqetësimet e ngritura lidhur me këtë çështje janë të pabazuara.

Duke folur gjatë seancës plenare, Gashani theksoi se ligji nuk është kthyer për përmbajtje dhe nuk është kontestuar asnjë pikë e tij, por vetëm janë ngritur çështje procedurale gjatë procesit.

Ai sqaroi se neni 11 i ligjit, i cili është përmendur në debat, nuk nënkupton në asnjë formë përjashtim apo anashkalim të legjislacionit për prokurimin publik.

“Ky nen synon t’i japë fleksibilitet operacional komitetit organizativ për hartimin e procedurave të brendshme për funksione specifike të organizimit të lojërave, si rekrutimi i shërbimeve operative, sponsorizimet dhe aktivitete të tjera organizative”, ka thënë Gashani.

Sipas tij, qëllimi i dispozitës është gjithashtu përshtatja me standardet dhe kërkesat ndërkombëtare për organizimin e eventeve multisportive si Lojërat Mesdhetare 2030.

Ministri ka theksuar se Ligji për Prokurimin Publik mbetet plotësisht në fuqi për të gjitha shpenzimet që financohen nga buxheti i shtetit, duke hedhur poshtë interpretimet se ligji i ri krijon përjashtime në këtë drejtim.

Debati për ligjin ka vazhduar në Kuvend, ku janë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me mënyrën e organizimit dhe menaxhimit të procesit të Lojërave Mesdhetare 2030. /Lajmi.net/