“Pazaret janë e kaluar” – Nagavci: LVV me ofertë konkrete, pret përgjigje nga PDK dhe LDK

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, ka deklaruar nga holli i Kuvendit se ende nuk është e qartë se cilat janë kërkesat konkrete të opozitës për arritjen e një marrëveshjeje politike. Ajo tha se, pavarësisht kësaj, LVV ka paraqitur ofertën e saj dhe mbetet e gatshme për të mbështetur zgjedhjen e…

Lajme

23/04/2026 10:26

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, ka deklaruar nga holli i Kuvendit se ende nuk është e qartë se cilat janë kërkesat konkrete të opozitës për arritjen e një marrëveshjeje politike.

Ajo tha se, pavarësisht kësaj, LVV ka paraqitur ofertën e saj dhe mbetet e gatshme për të mbështetur zgjedhjen e presidentit në çdo moment.

“Sot që flasim, ne nuk e dimë se cila është marrëveshja specifike apo çfarë kërkojnë Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Ne kemi një ofertë dhe, si deputetë të LVV-së, që nga 5 marsi, por edhe në çdo ditë tjetër kur ka ndonjë propozim, jemi të gatshëm dhe vullnetshëm që të votojmë për presidentin e vendit”, u shpreh Nagavci.

Ajo theksoi se LVV ka qenë gjithmonë serioze dhe transparente në propozimet e saj, duke shtuar se partia ofron marrëveshje politike në përputhje me mbështetjen që ka marrë nga qytetarët.

Nagavci kritikoi praktikat e së kaluarës, duke thënë se pazaret politike nuk janë pjesë e qasjes së LVV-së.

“Për mua, pazari nënkupton praktikat që i kemi parë dhe që fatmirësisht i takojnë të kaluarës, kur flasim për terminale doganore, për pozita në ambasada apo për favore individuale. Ndërkohë, LVV bën propozime për marrëveshje politike në mënyrë proporcionale me mbështetjen që na kanë dhënë qytetarët”, deklaroi ajo.

Nagavci ritheksoi se qëllimi i LVV-së mbetet arritja e një marrëveshjeje politike dhe shmangia e një procesi të ri zgjedhor. /Lajmi.net/