Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në kuadër të planit operacional “Mburoja e hekurt”.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur në zonën malore mes fshatit Radush në Maqedonia e Veriut dhe rrugës që lidh fshatin Goranc me Hanin e Elezit.
Njësitet e Policisë Kufitare nga Drejtoria Rajonale Kufitare “Jugu”, gjatë patrullimit dhe vëzhgimit në terren, kanë identifikuar një automjet që po lëvizte në një rrugë ilegale malore nga territori i Maqedonisë së Veriut në drejtim të Kosovës.
Sipas policisë, drejtuesi i automjetit, së bashku me një pasagjer, ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por automjeti është ndaluar nga zyrtarët policorë. Me këtë rast, është arrestuar njëri nga të dyshuarit, shtetas i Maqedonisë së Veriut.
Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme, vlera e të cilave, sipas vlerësimeve fillestare, tejkalon dhjetëra mijëra euro. I dyshuari nuk posedonte dokumentacion përkatës për prejardhjen e mallrave.
Pas konsultimit me prokurorin kompetent, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa automjeti dhe mallrat janë konfiskuar si dëshmi materiale në kuadër të procedurës penale.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme në zonat kufitare të vendit. /Lajmi.net/