Gjenerali amerikan Osborn përfundon vizitën në FSK, theksohet thellimi i bashkëpunimit ushtarak
Agjutanti i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovës, Gjeneral Major Stephen Osborn, ka përfunduar një vizitë disa ditore në Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), ku është diskutuar për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy forcave. Gjatë vizitës, ai u prit nga Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin në kuadër…
Lajme
Agjutanti i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovës, Gjeneral Major Stephen Osborn, ka përfunduar një vizitë disa ditore në Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), ku është diskutuar për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy forcave.
Gjatë vizitës, ai u prit nga Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.
Në kuadër të agjendës, gjenerali Osborn vizitoi edhe Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, ku u njoftua nga afër me zhvillimet kryesore në ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe aktivitetet trajnuese, me fokus në planifikimin e përbashkët dhe prioritetet strategjike.
Ai gjithashtu vizitoi Gardën Kombëtare të Kosovës, ku iu prezantuan kapacitetet specialistike, sfidat aktuale dhe objektivat zhvillimore për të ardhmen. Në këtë takim u diskutua edhe mundësia e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, sidomos në ato ku Garda Kombëtare e Ajovës ka ekspertizë të veçantë.
Me këtë rast, gjenerali Osborn falënderoi për pritjen dhe vlerësoi progresin e arritur nga FSK-ja, duke rikonfirmuar mbështetjen e vazhdueshme për avancimin e mëtejmë të kapaciteteve të saj operacionale, në përputhje me misionin kushtetues dhe ligjor të forcës.
Kjo vizitë konsiderohet një tjetër hap në forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.