Kurti takohet me Whitaker: Prania e NATO’s në Kosovë, veçmas ajo e ShBA’së, kruciale për paqen dhe sigurinë
Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker. Sipas njoftimit të lëshuar nga ZKM, Kurti ka thënë se e prania e NATO’s në Kosovë, dhe veçmas ajo e Shteteve të Bashkuara, mbetet kruciale për paqen dhe sigurinë, jo vetëm në vend, por edhe në rajon. Sipas…
Lajme
Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker.
Sipas njoftimit të lëshuar nga ZKM, Kurti ka thënë se e prania e NATO’s në Kosovë, dhe veçmas ajo e Shteteve të Bashkuara, mbetet kruciale për paqen dhe sigurinë, jo vetëm në vend, por edhe në rajon.
Sipas Kurtit, përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të ishte kontribut i rëndësishëm dhe do të shërbente si garantues afatgjatë për paqen dhe sigurinë në Ballkan.
“Duke folur për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, kryeministri tha se ajo mbetet e brishtë për shkak se Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, vazhdon të ndjekë politikë hegjemoniste rajonale. Ai foli edhe për armatosjen e fqinjit verior, me theks blerjet e fundit nga Rusia dhe Kina, si kërcënime për stabilitetin afatgjatë rajonal dhe fqinjësinë e mirë në Ballkan. Në këtë kontekst, kryeministri përmendi bazat e përparme operacionale të Serbisë përreth kufirit me Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ai e ka falenderuar ambasadorin Whitaker për mbështetjen jetike, të vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës.
“Teksa shprehu mirënjohje, kryeministri Kurti foli për bashkëpunimin e ngushtë dhe partneritetin me SHBA-në, përfshirë trajnimet dhe edukimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse. Ai theksoi se Kosova, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e angazhuar për stabilitet, paqe dhe siguri në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.
Më herët, Whitaker u takua edhe me U.D e Presidentes, Albulena Haxhiun dhe Komandantin e KFOR’it, Ozkan Ulutuas.