Gjykata jep detaje për shpalljen e dënimit ndaj Naim Murselit dhe dy të tjerëve për vrasjen e Liridona Ademajt

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur sot aktgjykim dënues me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës, si dhe 30 vite burgim ndaj Kushtrim Kokallës pasi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë. Siç ka njoftuar Gjykata, Naim Murseli është shpallë fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim të përjetshëm…

Lajme

21/04/2026 16:52

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur sot aktgjykim dënues me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës, si dhe 30 vite burgim ndaj Kushtrim Kokallës pasi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Siç ka njoftuar Gjykata, Naim Murseli është shpallë fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim të përjetshëm për veprën penale se në bashkryerje ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3. dhe 1.4 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari Granit Plava është shpall fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim të përjetshëm për veprën penale se në bashkryerje ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.6. lidhur me nenin 31 dhe 34 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari Kushtrim Kokalla është shpall fajtor dhe është dënuar me dënim në kohëzgjatje prej tridhjetë vitesh (30) për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Të akuzuarve N.M., G.P. dhe K.K., në dënimin e shqiptuar me burgim, iu llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit, ndërsa me vendim të veçantë iu vazhdohet masa e paraburgimit. Të akuzuarit detyrohen që të paguajnë të gjitha shpenzimet në emër të shpenzimeve të procedurës penale, po ashtu obligohen që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën secili nga 500 (pesëqind) euro, si dhe nga 50 (pesëdhjetë) euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit”, ka njoftuar Gjykata.

Ajo ka njoftuar se palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: