Tahiri kundër Kërçelit: Kriza e rrymës ka nisur me Kurtin, po fshihen skandalet
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka reaguar ndaj deputetit të LVV-së, Ilir Kërçeli, gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës për çmimin e energjisë elektrike, duke i cilësuar deklarimet e tij si të pavend dhe larg realitetit. Tahiri tha se referimet e Kërçelit në vitet 2018, 2019 dhe 2020, si dhe përfshirja e…
Lajme
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka reaguar ndaj deputetit të LVV-së, Ilir Kërçeli, gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës për çmimin e energjisë elektrike, duke i cilësuar deklarimet e tij si të pavend dhe larg realitetit.
Tahiri tha se referimet e Kërçelit në vitet 2018, 2019 dhe 2020, si dhe përfshirja e çështjes së presidentit në debat, sipas tij, nuk kishin lidhje me situatën aktuale në sektorin e energjisë.
“Përmbajtja e fjalimit ishte tërësisht jolegjitime. Realiteti është se në vitet 2018 dhe 2019 çmimi i energjisë elektrike ka qenë shumë më i lirë sesa sot. Kriza energjetike ka filluar me ardhjen e kësaj qeverie”, deklaroi Tahiri.
Ai akuzoi Qeverinë se po tenton të shmangë përgjegjësinë duke devijuar vëmendjen e opinionit publik nga problemet reale, duke i quajtur zhvillimet në sektorin energjetik si një nga skandalet më të mëdha pasluftës.
Sipas tij, debatet politike po përdoren për të larguar fokusin nga rritja e kostos së jetesës, e cila, siç tha ai, po rëndohet çdo ditë për qytetarët.
“Në mungesë të përgjegjësisë institucionale, qeveria po zgjedh tema të tjera si çështja e presidentit, për të shmangur përballjen me sfidat reale që i prekin qytetarët”, u shpreh Tahiri.
Deklaratat e tij u bënë në kuadër të debatit parlamentar për energjinë, i cili po shoqërohet me përplasje të ashpra mes pozitës dhe opozitës. /Lajmi.net/