Kusari-Lila në Kuvend: Po e shtrembëroni të vërtetën për privatizimin e energjisë – përgjegjësia është e juaja, jo e imja

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka akuzuar deputetët e opozitës për mungesë sinqeriteti dhe shmangie nga përgjegjësia lidhur me procesin e privatizimit të sektorit të energjisë në Kosovë. Në Kuvend, ajo ka thënë se opozita po tenton të deformojë faktet dhe të zhvendosë përgjegjësinë politike, duke e bërë atë, siç u…

Lajme

21/04/2026 14:04

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka akuzuar deputetët e opozitës për mungesë sinqeriteti dhe shmangie nga përgjegjësia lidhur me procesin e privatizimit të sektorit të energjisë në Kosovë.

Në Kuvend, ajo ka thënë se opozita po tenton të deformojë faktet dhe të zhvendosë përgjegjësinë politike, duke e bërë atë, siç u shpreh, “fajtoren kryesore” për zhvillime që kanë nisur shumë më herët.

“Është interesante që këto akuza vijnë në një moment politik të caktuar. Ka një jo-sinqeritet në raport me temat që po diskutohen dhe një tentim për t’u larguar nga përgjegjësia”, deklaroi Kusari-Lila.

Ajo theksoi se procesi i privatizimit të distribucionit të KEK-ut ka nisur në vitin 2008 gjatë qeverisë PDK–LDK dhe është finalizuar më pas, duke shtuar se vendimet kanë qenë pjesë e një procesi të gjatë institucional dhe me përfshirje ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore dhe IFC-në.

Sipas saj, dokumentacioni i këtij procesi është i hapur dhe nuk ka pasur asnjë element të fshehtë apo përfitim individual, ndërsa aktakuzat e përmendura në debat nuk lidhen me privatizimin e distribucionit, por me hidrocentralet e vogla – të cilat, siç tha ajo, janë trajtuar në gjykatë dhe nuk kanë rezultuar me bazë.

Kusari-Lila përmendi edhe emra të zyrtarëve të mëhershëm të përfshirë në qeverisje gjatë atyre proceseve, duke theksuar se përgjegjësia nuk mund të ngarkohet vetëm mbi një individ apo një periudhë të vetme.

Ajo shtoi se asetet energjetike mbeten pronë e Kosovës dhe nuk mund të largohen nga vendi, pavarësisht marrëveshjeve apo ndryshimeve të mundshme në të ardhmen.

Debati në Kuvend është zhvilluar me tone të larta mes pozitës dhe opozitës, duke rikthyer në fokus çështjen e privatizimit të sektorit të energjisë. /Lajmi.net/