IKD e cilëson të kundërligjshëm ndryshimin e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, kërkon shqyrtim nga Kuvendi dhe APK
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, duke e cilësuar atë si të kundërligjshëm dhe në kundërshtim me parimet e sigurisë juridike. Sipas IKD-së, vendimi i Qeverisë është arsyetuar me nevojën për adresimin e…
Lajme
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, duke e cilësuar atë si të kundërligjshëm dhe në kundërshtim me parimet e sigurisë juridike.
Sipas IKD-së, vendimi i Qeverisë është arsyetuar me nevojën për adresimin e ankesave të shumta të evidentuara gjatë mandatit të komisionit paraprak, të cilat, sipas deklarimeve publike, kanë ndikuar në besueshmërinë e procesit të provimit. Megjithatë, organizata vlerëson se një arsyetim i tillë nuk qëndron në aspektin ligjor.
IKD thekson se anëtarët aktualë të Komisionit kanë mandat të vlefshëm deri në dhjetor të këtij viti, dhe se ky mandat është përcaktuar me vendime përkatëse që, sipas tyre, janë shfuqizuar nga Qeveria pa bazë ligjore. Po ashtu, Instituti thekson se Ligji për Provimin e Jurisprudencës nuk i jep kompetencë Qeverisë për ndryshimin e përbërjes së Komisionit gjatë mandatit të tij.
Sipas IKD-së, ndërprerja e mandatit mbi baza të përgjithshme dhe pa arsyetim të mjaftueshëm ligjor përbën veprim arbitrar dhe cenon parimin e ligjshmërisë dhe sigurisë juridike. Po ashtu, organizata ngrit dyshime për ndërhyrje në funksionimin e Komisionit, sidomos në kontekstin e mungesës së shpalljes së afateve për provimin e jurisprudencës që nga prilli i vitit 2025.
Në këtë kontekst, IKD i bën thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës që të mos e miratojë vendimin e Qeverisë, duke theksuar se ai nuk duhet të legjitimohet pasi, sipas tyre, është marrë pa bazë ligjore dhe dëmton besueshmërinë institucionale të procesit.
Në reagim ngrihen gjithashtu dilema edhe për përbërjen e re të propozuar të Komisionit. Sipas IKD-së, kryetar i propozuar është Arian Gashi, i cili aktualisht mban pozitën e Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. IKD rikujton se ligji për Këshillin Prokurorial ndalon ushtrimin e funksioneve të tjera publike të shpërblyera për zyrtarë të tillë, përveç rasteve të parapara me ligj.
Po ashtu, IKD referon edhe Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, duke theksuar se mbajtja e njëkohshme e funksioneve mund të ngrejë çështje të konfliktit të interesit dhe kërkon që rasti të shqyrtohet nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.
Në përfundim, IKD vlerëson se çështja kërkon trajtim institucional dhe ligjor nga organet kompetente, për të shmangur cenimin e integritetit të procesit të Provimit të Jurisprudencës. /Lajmi.net/