Osmani viziton familjen e Zejnepe Gashit: Një amanet i gjallë për një shtet që mbron jetën e çdo qytetari

Ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka qëndruar sot në familjen e Zejnepe Gashit në Sllovi të Lipjanit, të cilës serbët ia vranë 5 anëtarë të familjes. Osmani tha se sakrifica e familjes Gashi mbetet amanet për një shtet ku jeta, dinjiteti dhe e drejta mbrohen gjithmonë. “Qëndrestarja e ndjerë Zejnepe Gashi jetoi me humbjen më…

Lajme

20/04/2026 17:12

Ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka qëndruar sot në familjen e Zejnepe Gashit në Sllovi të Lipjanit, të cilës serbët ia vranë 5 anëtarë të familjes.

Osmani tha se sakrifica e familjes Gashi mbetet amanet për një shtet ku jeta, dinjiteti dhe e drejta mbrohen gjithmonë.

“Qëndrestarja e ndjerë Zejnepe Gashi jetoi me humbjen më të rëndë që mund të përjetojë një nënë dhe një grua. Gjatë luftës, ajo humbi bashkëshortin, dy djemtë dhe dy nipërit e saj. Në pranverën e vitit 1999, në këtë fshat u vranë edhe dhjetëra civilë të pafajshëm. Këto plagë nuk i përkasin vetëm një familjeje, por janë pjesë e kujtesës sonë kolektive.

Muajin e kaluar, me përulësi dhe respekt të thellë, dekorova qëndrestaren e ndjerë Zejnepe Gashi me Medaljen Presidenciale të Meritave (post mortem), për sakrificën e jashtëzakonshme në betejën për drejtësi dhe për kontributin e saj të pashoq në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë masakrës së Sllovisë në vitin 1999.

Qëndruam pranë familjes së saj për të nderuar të kaluarën, por edhe për të forcuar përgjegjësinë tonë për të ardhmen. Sakrifica e familjes Gashi mbetet amanet për një shtet ku jeta, dinjiteti dhe e drejta mbrohen gjithmonë.

Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë tonë.”