Haxhiu autorizon dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza pas miratimit në Kuvend

U.D e Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës,  në operacion ndërkombëtar paqeruajtës, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza pas miratimit në Kuvendin e Kosovës.  Ajo ka thënë se ky vendim pasqyron një Kosovë që e kupton sigurinë si detyrim ndaj qytetarëve të saj dhe si…

Lajme

20/04/2026 16:01

U.D e Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës,  në operacion ndërkombëtar paqeruajtës, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza pas miratimit në Kuvendin e Kosovës. 

Ajo ka thënë se ky vendim pasqyron një Kosovë që e kupton sigurinë si detyrim ndaj qytetarëve të saj dhe si përgjegjësi ndaj paqes dhe rendit ndërkombëtar.

Haxhiu ka thënë se nga një vend që dikur kishte nevojë për mbështetjen e të tjerëve, Kosova sot merr përgjegjësi dhe jep kontribut në skenën ndërkombëtare.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është një institucion i ndërtuar me profesionalizëm dhe standarde të larta, e gatshme të shërbejë krah partnerëve tanë strategjikë. Pjesëmarrja në misione të tilla dëshmon pjekurinë shtetërore të Republikës sonë dhe vendin që Kosova po e forcon çdo ditë në arenën ndërkombëtare”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Kuvendi i Kosovës të premtën me 17 prill, ka vendosur për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

Vendimi kaloi me 89 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se dërgimi i ushtarëve të Kosovës në operacione të tilla krijon besim te aleatët ndërkombëtarë.

“Më datën 30 mars të këtij viti, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të 197-të ka aprovuar propozim-vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza. Ministria e Mbrojtjes mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike për bashkëpunim me shtetet aleate, mbi bazën e ftesës së pranuar nga Komanda Qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të nënshkruar me datë 8 dhjetor e e pranuar me datën 10 dhjetor 2025 në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe që i referohet Rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vullnetit politik të shprehur në botën e paqes, si dhe ligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, ka iniciuar procedurat për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht si pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza”, tha Maqedonci.

“Dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshin pjesëmarrjen e personelit të FSK-së në kuadër të komandës së unifikuar të forcës ndërkombëtare stabilizuese, e cila për mision ka të mbështesë zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, gjithnjë duke u bazuar në mandatin e forcës ndërkombëtare stabilizuese.” /Lajmi.net/