AME apel qytetarëve: Gjatë verës, jeni të kujdesshëm dhe vigjilentë për shmangien e shkaktarëve të mundshëm të zjarreve
Agjencia e Menaxhimit Emergjent, përmes një postimi në Facebook, ka paralajmëruar qytetarët për sezonin e verës që supozohet se do të karakterizohet me temperatura të larta të ajrit që ndikojnë në shfaqjen dhe zgjerimin e zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore. Ata kanë apeluar qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe vigjilentë për shmangien…
Lajme
Agjencia e Menaxhimit Emergjent, përmes një postimi në Facebook, ka paralajmëruar qytetarët për sezonin e verës që supozohet se do të karakterizohet me temperatura të larta të ajrit që ndikojnë në shfaqjen dhe zgjerimin e zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore.
Ata kanë apeluar qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe vigjilentë për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, vërejtjen dhe lajmërimin me kohë në numrat emergjent pa pagese 24/7 112, 193 dhe 192, si dhe të ndihmojmë në shuarjen e zjarrit, kudo që ai mund të paraqitet dhe kërcënon, pasi që për një veprim të tillë përveç tjerash na obligon edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës si dhe aktet tjera ligjore dhe nënligjore.
“Kujdes i veçantë:
- Mos ndizni zjarr në pyje, fusha apo pranë zonave të banuara;
- Mos hidhni cigare të ndezura apo mbeturina që mund të shkaktojnë flakë;
- Raportoni menjëherë në numrat emergjent të çdo vatre zjarri tek autoritetet lokale ose shërbimi zjarrfikës;
- Edukojmë fëmijët dhe të rinjtë për rrezikun e lojërave me zjarr;
- Ruajmë mjedisin si pasuri të përbashkët për brezat e ardhshëm”, ka shkruar AME.
Ata kanë thënë se vetëm me bashkëpunim dhe ndërgjegjësim të përbashkët mund të parandalojmë tragjedi dhe të mbrojmë natyrën tonë.
“Mos lejoni që pakujdesia të kthehet në katastrofë. Veproni menjëherë dhe me përgjegjësi – për veten, për komunitetin, për Kosovën. Vlen të theksohet dhe t’iu bëhet e ditur se zjarrvëniet e qëllimta, si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia, janë vepër penale të cilat sanksionohen me ligj. E rëndësishme: ne rast se hasni në ndonjë rast dyshimi për rrezik nga zjarri numrat emergjent në të cilët ju duhet të drejtoheni dhe t’i informoni por edhe ndihmë të kërkoni pa pagesë 24/7 janë:
112 Qendra Operative Emergjente, nga VALA dhe IPKO(pa pagesë),
193 zjarrfikësit shpëtues,
192 Policia dhe,
194 Shërbimi Mjekësor Emergjent.
Paralajmërim i hershëm- Veprim i hershëm, i cili shpëton jetë dhe ambientin e përbashkët për të gjithë.
Ju ftojmë dhe presim bashkëpunim të ndërsjellë”, ka shkruar AME. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: