Grabitje me armë në Slivovë, policia arreston tre të dyshuar dhe sekuestron armë automatike
Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës pas një grabitjeje të armatosur të ndodhur në një market në fshatin Slivovë të Ferizajt. Sipas komunikatës, ngjarja ka ndodhur më 19 prill 2026 rreth orës 12:00, kur një person i maskuar dhe i armatosur me armë të gjatë ka hyrë në lokal dhe nën kërcënimin e…
Lajme
Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës pas një grabitjeje të armatosur të ndodhur në një market në fshatin Slivovë të Ferizajt.
Sipas komunikatës, ngjarja ka ndodhur më 19 prill 2026 rreth orës 12:00, kur një person i maskuar dhe i armatosur me armë të gjatë ka hyrë në lokal dhe nën kërcënimin e armës ka marrë para nga arka, duke u larguar më pas në drejtim të varrezave të fshatit.
Policia ka reaguar menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa pas veprimeve intensive hetimore ka arritur të arrestojë fillimisht një të dyshuar, B.T. (28 vjeç).
“Njësitet reaguese dhe ato të hetimeve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Pas veprimeve intensive hetimore në terren, rreth orës 12:30 kanë arrestuar një person të dyshuar,” thuhet në komunikatë.
Gjatë hetimeve të mëtejme, rreth orës 12:50 është sekuestruar edhe një armë automatike e tipit AK-47, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale.
Më pas, policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në rast, R.H. (38 vjeç) dhe V.S. (28 vjeç).
Të tre të dyshuarit, pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit të shtetit për krime të rënda, janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
