Në 27-vjetorin e rënies, Haxhiu vlerëson Sali Çekajn si strateg dhe hero të lirisë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore të organizuar me rastin e Ditës së Veteranëve të Betejës së Koshares dhe 27-vjetorit të rënies së heroit të Kosovës, Sali Çekaj. Ngjarja është mbajtur nën patronatin e u.d. Presidentes, në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Shqipes 2026”.…

Lajme

19/04/2026 14:37

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore të organizuar me rastin e Ditës së Veteranëve të Betejës së Koshares dhe 27-vjetorit të rënies së heroit të Kosovës, Sali Çekaj.

Ngjarja është mbajtur nën patronatin e u.d. Presidentes, në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Shqipes 2026”.

Në fjalën e saj, Haxhiu theksoi rolin historik të Sali Çekajt në përpjekjet për lirinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si një figurë kyçe që, sipas saj, nuk priti ndryshimin e rrethanave, por mori përgjegjësinë për t’i ndryshuar ato.

Ajo kujtoi se Çekaj, i lindur në Broliq dhe i formuar si jurist e gjyqtar, zgjodhi rrugën e sakrificës përballë represionit të regjimit serb, duke u angazhuar herët për organizimin dhe forcimin e rezistencës.

Sipas saj, që nga vitet e hershme të viteve ’90, ai ishte pjesë e përpjekjeve për liri, së bashku me figura të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kontribuar në organizimin, mobilizimin dhe mbështetjen e luftës.

Haxhiu theksoi se këto përgatitje kulmuan në Betejën e Koshares në prill të vitit 1999, ku luftëtarët e UÇK-së ndërmorën një nga aktet më të rëndësishme të luftës – thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Ajo vlerësoi se, ndonëse përballja ishte e pabarabartë, vendosmëria dhe ideali për liri i luftëtarëve të UÇK-së bënë diferencën në terren.

Në këtë betejë, më 19 prill 1999, ra heroikisht edhe Sali Çekaj, të cilin Haxhiu e përshkroi si komandant dhe strateg të përkushtuar, që i shërbeu atdheut në çdo etapë të luftës.

Në fund të fjalës së saj, ajo theksoi se figura e Çekajt mbetet simbol i bashkimit dhe sakrificës për liri.

“Sali Çekaj jetoi dhe ra për të na bashkuar ne që na ndanë me dhunë, duke e kthyer kufirin në kujtim dhe emrin e tij në detyrim të përhershëm për liri”, u shpreh Haxhiu. /Lajmi.net/