Maqedonci kërkon nga Kuvendi miratimin e dërgimit të FSK-së në mision ndërkombëtar në Gaza

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë thirrje që deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë pro dërgimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një mision ndërkombëtar stabilizues në Gaza. Ai ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës e ka miratuar më herët këtë iniciativë dhe tani kërkohet miratimi përfundimtar nga Kuvendi për…

Lajme

17/04/2026 15:59

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë thirrje që deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë pro dërgimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një mision ndërkombëtar stabilizues në Gaza.

Ai ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës e ka miratuar më herët këtë iniciativë dhe tani kërkohet miratimi përfundimtar nga Kuvendi për pjesëmarrjen e FSK-së jashtë vendit, transmeton lajmi.net.

Sipas Maqedoncit, ky angazhim bazohet në ftesën e pranuar nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në kornizën e përcaktuar nga Rezoluta 2803 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Ministria e Mbrojtjes, mbi bazën e objektivave strategjike dhe ftesës së pranuar nga SHBA, ka iniciuar procedurat për dërgimin e FSK-së në kuadër të forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza”, ka deklaruar Maqedonci.

Ai ka sqaruar se forcat paqeruajtëse do të veprojnë brenda një komande të unifikuar ndërkombëtare dhe me mandat për të mbështetur stabilizimin e situatës në Gaza, duke përfshirë sigurinë, mbrojtjen e civilëve dhe ndihmën humanitare.

“Operacionet do të zhvillohen në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare”, ka theksuar ai.

Ministri ka shtuar se FSK tashmë ka përgatitur të gjitha aspektet logjistike dhe operacionale për këtë mision, përfshirë trajnimin e personelit, sigurinë, sigurimin shëndetësor dhe mbështetjen financiare.

Sipas tij, pjesëmarrja e Kosovës në këtë mision do të forcojë partneritetin me aleatët ndërkombëtarë dhe do të rrisë profilin e shtetit në arenën globale.

“Të nderuar deputetë, ky angazhim e dëshmon Kosovën si partnere të besueshme dhe kontribuese aktive në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, ka deklaruar Maqedonci, duke kërkuar mbështetjen e Kuvendit për këtë vendim./lajmi.net/