81 vota “për” në Kuvend, kalon në lexim të parë projektligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, një nismë që ishte rrëzuar më herët nga Gjykata Kushtetuese. Projektligji është votuar me 81 vota për, 25 abstenime dhe asnjë votë kundër. Përveç Lëvizjes Vetëvendosje, mbështetje i kanë dhënë edhe LDK…

Lajme

17/04/2026 15:18

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, një nismë që ishte rrëzuar më herët nga Gjykata Kushtetuese.

Projektligji është votuar me 81 vota për, 25 abstenime dhe asnjë votë kundër. Përveç Lëvizjes Vetëvendosje, mbështetje i kanë dhënë edhe LDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka abstenuar, transmeton lajmi.net.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, gjatë prezantimit në Kuvend ka thënë se ligji synon forcimin e llogaridhënies dhe luftën ndaj pasurisë së pajustifikueshme.

“Funksioni publik nuk mund të shërbejë si mburojë për pasurim të pajustifikueshëm. Shteti nuk mjaftohet me deklarime formale kundër korrupsionit, por krijon mekanizma realë dhe funksionalë”, ka deklaruar Gërvalla, duke shtuar se qëllimi i ligjit është rezultate konkrete dhe jo “tituj mediatikë”.

Nga ana tjetër, PDK ka shprehur rezerva ndaj përmbajtjes së projektligjit. Deputeti Përparim Gruda ka kërkuar që dokumenti të përmirësohet mes dy leximeve, duke theksuar se disa dispozita mund të jenë në kundërshtim me Kushtetutën.

“Ne abstenojmë për t’i dhënë mundësi Kuvendit që në mes dy leximeve ta përmirësojë ligjin dhe ta sjellë në përputhje me Kushtetutën dhe standardet evropiane”, është shprehur Gruda.

Ndërkohë, LDK ka theksuar se në parim e mbështet krijimin e Byrosë, por ka kërkuar që në fazën e dytë të adresohen shqetësimet që mund të prekin qytetarët, veçanërisht ata që kanë përfituar nga remitencat e diasporës.

“Mbështesim Byronë në parim, por duhet të shihet nëse ky proces është realisht luftë kundër korrupsionit apo vetëm krijim perceptimi”, ka deklaruar deputetja Doarsa Kica-Xhelili.

Edhe AAK ka votuar pro projektligjit, me shefin e grupit parlamentar Besnik Tahiri që ka thënë se krijimi i një mekanizmi të tillë duhet të testohet në praktikë.

“Kush nuk e justifikon pasurinë duhet të përballet me ligjin dhe konfiskimin e saj nëse provohet e kundërligjshme”, ka deklaruar Tahiri.

Projektligji tani kalon në shqyrtim të mëtejshëm në mes të dy leximeve, ku pritet të trajtohen edhe vërejtjet e paraqitura nga deputetët./lajmi.net/