Dekretohen 6 ligje nga Albulena Haxhiu, përfshijnë energjinë diellore dhe rrugën Prishtinë–Mitrovicë
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar shpalljen e gjashtë ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, të cilat lidhen me sektorë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit. Sipas saj, këto ligje synojnë të nxisin investimet në energji të pastër, të rrisin efiçencën energjetike në ndërtesat publike, të…
Lajme
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar shpalljen e gjashtë ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, të cilat lidhen me sektorë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit.
Sipas saj, këto ligje synojnë të nxisin investimet në energji të pastër, të rrisin efiçencën energjetike në ndërtesat publike, të përmirësojnë infrastrukturën rrugore si dhe të avancojnë trajtimin e ujërave të zeza, transmeton lajmi.net.
“Këto ligje hapin rrugë për investime në energji të pastër, në rritjen e efiçencës në ndërtesat publike, në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe në trajtimin e ujërave të zeza. Po ashtu, ato forcojnë bashkëpunimin rajonal dhe krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë tanë në qasjen në arsimin e lartë në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar Haxhiu.
Ajo shtoi se përmes këtyre akteve ligjore, Kosova synon të thellojë bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare dhe Bashkimin Evropian, duke orientuar zhvillimin drejt integrimit evropian dhe qëndrueshmërisë afatgjatë.
Ligjet e dekretuara përfshijnë marrëveshje kredie dhe financimi për projekte në energjinë diellore, rrugën Prishtinë–Mitrovicë, programin IPA me BE-në, qasjen në arsimin e lartë në rajon, rritjen e efiçencës energjetike në ndërtesa publike si dhe ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë.
Komunikata e plotë:
U.D. Presidentja Haxhiu ka dekretuar shpalljen e 6 ligjeve të rëndësishme, të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar shpalljen e 6 ligjeve të rëndësishme, të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, të cilat prekin drejtpërdrejt disa prej sektorëve kyç të zhvillimit të vendit.
“Këto ligje hapin rrugë për investime në energji të pastër, në rritjen e efiçencës në ndërtesat publike, në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe në trajtimin e ujërave të zeza. Po ashtu, ato forcojnë bashkëpunimin rajonal dhe krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë tanë në qasjen në arsimin e lartë në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar u.d. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej ka thënë se përmes këtyre hapave, Republika e Kosovës vazhdon të thellojë partneritetin me institucionet financiare ndërkombëtare dhe me Bashkimin Evropian, duke e orientuar zhvillimin drejt qëndrueshmërisë dhe integrimit evropian.
Ligjet e dekretuara nga u.d. Presidentja Haxhiu janë:
Ligji Nr. 10/L-011 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektligjin Energjia Diellore Fotovolkanike në KEK – Porta Globale.
Ligji Nr. 10/L-013 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë – Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë-Mitrovicë (kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.
Ligji Nr. 10/L-010 për Ratifikimin e “Amandamentit nr. 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2017, Pjesa e Parë”.
Ligji Nr. 10/L-008 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Qasje në Arsimin e Lartë dhe Pranim për Studime në Ballkanin Perëndimor.
Ligji Nr. 10/L-012 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Projektin e Efiçencës së Energjisë në Ndërtesa Publike.
Ligji Nr. 10/L-014 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”./lajmi.net/